S'ka marrëveshje politike për Prokurorinë Speciale
Takimi pesëorësh i punës në Ministrinë e Drejtësisë ku janë shqyrtuar amendamentet e partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së për Ligjin për Prokurorinë Publike, në të cilin është rregulluar edhe statuti i Prokurorisë Speciale Publike, mbaroi pa marrëveshje.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska tha se dallimet kyçëse kanë të bëjnë me PSP-në.

“Kemi biseduar nen pas neni, e kemi kontrolluar gjithë ligjin edhe pse në nenet tjera kemi pasur mundësi të gjejmë gjuhë të përbashkët, dallimet bazë mbeten në pjesën e Prokurorisë Speciale Publike. Kërkesën që e kanë dorëzuar, PSP të jetë pjesë e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion, dhe jo Prokurori e veçantë është çështje që realisht nuk mund të pranohet, nga shkaku që një nga përcaktimet strategjike është se PSP duhet të vazhdojë si prokurori, e jo si repart në prokurori tjetër”, tha ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.

Dallim tjetër, shtoi ajo, është dallimi rreth fatit të atyre hetimeve të cilat janë në rrjedhë nga ana e PSP-së, procedura parahetimore dhe aktakuza të cilat janë ngritur pas 18 mujash nga dorëzimi i materialeve.

Deskoska tha se duke marrë parasysh atë që në mbledhje nuk është gjetur gjuhë e përbashkët, të dy palët janë marrë vesh VMRO-DPMNE t’i shqyrtojnë edhe një herë argumentet e Ministrisë së Drejtësisë dhe t’i rishqyrtojnë qëndrimet dhe nëse eventualisht ka zhvendosje të caktuara të mbahet edhe një mbledhje.

“Marrëveshja është deri të premten të na dorëzohen në formën e amendamenteve, ato propozime në të cilat insistojnë të jenë të kyçura në Ligjin për Prokurorinë Publike, ndërsa pastaj të premten të ulemi dhe t’i tregojmë qëndrimet rreth atyre propozimeve”, deklaroi Deskoska.
Shtuar më 19/03/2019, ora 09:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori