PE, raport pozitiv për Maqedoninë
Pëlqej
Lajme të mira për Maqedoninë, e cila mesin e këtij muaji, pritet të marrë një raport pozitiv mbi progresin e bërë. “Komisioneri Stefan Fule është impresionuar dhe angazhohet fuqishëm për Maqedoninë”,-ka thënë eurodeputeti gjerman, Martin Kastler, që së bashku me kolegun e tij estonez, Tune Kelam, u takuan me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Poposki.

Sipas "INA Online", takimi u përqëndrua mbi ndihmën që eurodeputetët mund t’i japin Shkupit zyrtar. Sipas Poposkit, u fol për agjendën europiane dhe mundësinë për të bërë përpara. “Shpresojmë që raporti i radhës të pasqyrojë hapat para që bëmë vitin e shkuar”,-tha Poposki. Në fjalën e tij, eurodeputeti tjetër, Tune Kelam theksoi se “Miqtë e Maqedonisë” zgjerohen në tërë Europën dhe se pjesa më e madhe e anëtarëve të Parlamentit Evropian janë në anën e Maqedonisë.

“Keni bërë përparime, edhe në aspektin ekonomik. Më duhet të theksoj raportin e Bankës Botërore që e vendosi Maqedoninë në vendin e 23 nga 180 shtete të botës, si vend ku klima afariste është përmirësuar dukshëm”,-theksoi ai.

Të dy eurodeputetët vlerësuan se anëtarësimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian është i arritshëm. Gjatë ditës, dy deputetët do të takohen edhe me Presidentin, Gjorgje Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski dhe deputetë e liderë të partive politike.
Shtuar më 01/10/2013, ora 13:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori