Si të përballemi me dezinformatat e Kremlinit
Hulumtuesi i lartë dhe drejtor i Programit rus në Qendrën për analiza të politikave evropiane (CEPA), institut hulumtues që i kushtohet studimeve të Evropës Lindore, Qendrore dhe Rusisë, Brian Whitmore, mbajti një ligjëratë virtuale që mund të ndiqej në katër qytete të Evropës Lindore: Bukuresht, Kiev, Podgoricë dhe Shkup, në lidhje me përballjen me dezinformatat që vijnë nga Kremlini, si rezultat i politikave aktuale kundërshtuese të Rusisë andaj Perëndimit dhe më gjerë, shkruan Krithink.

Për dallim nga demokracitë perëndimore, ku mbi të gjitha vlejnë rregulla të lojës që janë shndërruar në legjislacion, në Rusi ligjet janë në vendin e dytë, pas pushtetit dhe parave. Prandaj, për ta kuptuar politikën e dezinformatave të udhëheqjes aktuale të Rusisë, është shumë me rëndësi të njihet personaliteti dhe qëllimet e presidentit rus, Vlladimir Putin. Whitmore për Putinin tha se është një produkt i ish-shërbimit sekret sovjetik KGB, por edhe i kapitalizmit të egër të viteve 1990-ta të shekullit të kaluar pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Në pyetjen se çfarë dëshiron Putini, Whitmore përgjigjet:

Putini e do atë që nuk mund t’ia japim: ai dëshiron ta rikthejë perandorinë! Prandaj, thotë ai, udhëheqësi i Moskës nuk do të ndalet kurrë. Ai do të shkojë deri në fund, duke shkuar drejt qëllimit në mënyrë sistematike, pa dyshim në mënyrë hibride, dhe si e tillë, krejtësisht pa skrupuj.

Mu për këtë arsye, zyrtarët në Kremlin po përpiqen ta minojnë sistemin ndërkombëtar të rregullave të lojës, i cili është në kundërshtim me normat që sundojnë në Rusi dhe që përfshijnë kultin e personalitetit, korrupsion të përhapur, flirtim me krimin e organizuar (njëra nga aktivitetet e para të Putinit në Petrograd, sipas Whitmore, ka qenë krijimi i marrëdhënieve në mes të autoriteteve të qytetit dhe krimit të organizuar me përfitim reciprok dhe në dëm të qytetarëve të zakonshëm), ndërsa përmes përhapjes së dezinformatave, bëhet përpjekje për t’i eksportuar normat ruse të sjelljes në politikë.

Atë që Whitmore e konsideron shumë të rëndësishme dhe të cilës duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje që vendet demokratike të mund të përballen me regjimin kleptokratik në Kremlin është korrupsioni. Një sistem i bazuar në para dhe pushtet, e jo në rregulla të shndërruara në legjislacion, mbështetet në babëzi. Për ta praktikuar këtë babëzi, është e nevojshme të korruptohen të gjithë ata që regjimi i tillë dëshiron t’i kontrollojë, sepse ai që është i korruptuar, ai është i kontrolluar.

Korrupsioni është komunizmi i ri, thotë Whitmore, duke iu referuar strategjisë që regjimi i Putinit e përdor si armë efektive për ta destabilizuar Perëndimin. Ai bëri një paralele me periudhën e Luftës së Ftohtë, kur Bashkimi Sovjetik i atëhershëm e përdorte komunizmin si një armë ideologjike në konfrontimin me Perëndimin.

Për ta kundërshtuar gjithë këtë, Whitmore propozon me sa vijon:

Duhet ta forcojmë nivelin e rezistencës në shtëpi, në vendet tona, duhet të bëjmë kundër polarizimit ekzistues në shoqëritë tona, dobësitë që Rusia i shfrytëzon për të mbjellë ndarje dhe të luftojmë në mënyrë efikase kundër larjes së parave.

Sa i përket luftës kundër dezinformatave, Whitmore kishte dy rekomandime. I pari është që gazetarët dhe mediat të përqendrohen në saktësinë dhe i dyti, të mos zihen me njëri tjetrin, gjegjësisht të mos hyjnë në divergjenca të pafundme të dezinformatave të panumërta që dalin nga Kremlini dhe gjithmonë të jenë të vetëdijshëm për kurthet, të cilat, në fakt, paraqesin veprime psikologjike.

Që të mund publikut ndërkombëtar t’i shitet ndonjë tregim me të cilin do të shpjegohej sjellja e udhëheqësve në Kremlin, ideologët e tyre (siç është A. Dugin), i referohen traditës dhe vlerave familjare, si arsyetim për mosrespektimin e rregullave të vendosura ndërkombëtare. Regjimi i Putinit, përveç kësaj, e promovon edhe euro-skepticizmin që ka për qëllim dëmtimin e legjitimitetit të institucioneve evropiane, e me këtë edhe bashkimin evropian në luftën kundër dezinformatave që vijnë nga Kremlini.
Shtuar më 27/03/2019, ora 22:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori