“Autobuz falas, ulje e taksave dhe tarifave”, Belind Këlliçi u prezanton banorëve të Njësisë 8 planin për ndryshimin e Tiranës

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Belind Kelliçi zhvilloi një vizitë sot në Njësinë 8 në Tiranë, ku ndau me qytetarët 5 prioritetet e programit të tij për drejtimin e bashkisë pas 14 majit, duke ritheksuar dhe njëherë angazhimin e tij kryesor, autobusin falas.

Këlliçi u shpreh se shërbimi i transportit publik falas, do të ofrohet edhe për zonat rurale.

“Sa lekë e keni biletën aty? 1 mijë lekë! Do ta bëjë zero unë pas 14 majit. Ma beso, më shiko këtu, do ta bëj. Për të mos ardhur me biçikletë, për kalamajtë. Kalamajtë, e keni problem e di”-tha Këlliçi.

Teksa takoi dhjetra sipërmarrës në këtë zonë, Belind Këlliçi shpërndau për biznesin e vogël programin e tij për taksat dhe tarifat vendore, disa prej të cilave do të zerohen, ndërsa të tjera do të ulen deri në 50%.

“Për hapësirën publike? Ne do ta përgjysmojmë. Kam folur pa fund për këtë punë dhe prandaj po them që do ta përgjysmojmë. Me taksat, me këto, u kanë bezdisur? Do t’i ulim, nuk e di nëse i ke parë. Taksën e infrastrukturës arsimore do ta heqim. Ti hapësirë publike nuk besoj se ke këtu, por një pjesë të taksave do t’i heqim”-u shpreh Këlliçi.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarë, disa prej tyre shprehën ankesa ndaj Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit. Belind Këlliçi ngriti akuza se kreu i këtij institucioni nuk u shërben më interesave të qytetarëve, pasi postin publik, e shfrytëzon për të marrë tendera nga institucionet që janë në varësi të bashkisë së Tiranës, ku vetë ai është nëpunës. Për të tillë zyrtarë, Belind Këlliçi premtoi llogaridhënie pas 14 majit.

“Po Mariglen Qato nuk vjen te ty se Mariglen Qato e ka mendjen me ndërtu, është biznesmen. Shoferi i kapet me kokainë, e di ti? Ka marrë nja 10 leje ndërtimi, ka hapur kompani, ka marrë tendera, merr tendera te UKT-ja. Se kanë më mendjen këta, se punonjësit e shtetit janë bërë ndërtuesa, prandaj nuk vjen. T’ia themi qytetarëve, prandaj nuk vjen Mariglen Qato, banditi. Do t’u japim drejtim të gjithëve, pas datës 14 maj të gjithë do të paguajnë një më një çfarë u kanë bërë njerëzve”-u shpreh Këlliçi.

Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, kërkoi nga qytetarët që të ftojnë miq e të afërm t`i bashkohen ndryshimit në 14 maj, duke votuar për numrin 5 në fletën e votimit për kryetar të bashkisë dhe numrin 1 në listën e kandidatëve për këshilltarë.