Shumë shpejt, gjuha shqipe do jetë zyrtare në Maqedoni
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit me kreun e LSDM-së Zoran Zaev, kanë biseduar për një sërë çështjesh me rëndësi për kushtet për të formuar qëverinë e ardhshme në Maqedoni.

"Nevoja është shumë e madhe të ketë komunikim mes partive politike që janë të interesuara që vendi të jetojë në paqe dhe qetësi dhe e natyrshme është që komunikimi të jetë në kuadër të normalitetit.

Me kryetarin e LSDM kemi biseduar për shumë tema dhe për dallimet që ekzistojnë mes BDI-së dhe LSDM-së për çështje të kushtetutës së vendit, për situatën aktuale politike dhe jo vetëm në vend por edhe rajon.

Janë biseduar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me zgjidhje të problemeve dhe ky komunikim duhet të vazhdojë më tutje për të gjetur zgjidhje më të mirë për qytetarët e Maqedonisë zgjidhje që do të prodhojë stabilitet në gjitha fushat, mbetet që BDI së shpejti të ftojë organet drejtuese të vazhdojnë analizat mbi opsionet që i ka paraqitur para opinionit dhe të shohë e të vendosë për opsionin më të pranueshëm dhe të realizueshëm për vendin por edhe për qytetarët.

Sigurisht që janë biseduar shumë gjëra që kanë mbetur pa u harmonizuar, mbetet çështje e ekspertëve që do të marrin orientimet e tyre se si të mund të përmbyllin ato çështje ku ka dallime.

Tash për tash nuk bëhet fjalë për ndërtime e koalicionime i gjithë takimi ka shkuar duke parë se ku janë dallimet substanciale mes dy subjekteve politike, nuk dua të flas për pesimizëm dhe zgjidhja që do bëhet mos jetë që shkakton huti e probleme në vend ne jemi për zgjidhje të drejtë, gjuha duhet të ketë statusin që i duhet si zyrtare në këtë vend me imtësi shihet cdo gjë që mos bëhet ndjesi se punohet me nxitim.

Për detaje do merren orientimet politike që burojnë nga ky takim për ekspertë të fushës së drejtësisë ku palët kanë dallime, sipas situatave ashtu dhe do bëhet thirrja për organet e partisë, sigurisht që do të varet nga të gjitha argumentet për zgjidhje se nuk janë çështje të lehta të merret një vendim nga 11 dhjetori deri më tani ne kemi analizuar dhe përpunuar të gjitha mundësitë dhe variantet për të pasur një zgjidhje të pranueshme." - është shprehur Ahmeti pas takimit.

Por, ku do të gjejë përdorim gjuha shqipe në Maqedoni, dhe a do të shkruhen dokumentet zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë edhe në gjuhën shqipe?

Draft-ligji parashikon një përdorim të gjerë të gjuhës shqipe në Kuvend, si në të folur ashtu edhe në të shkruar. Drejtuesit e Kuvendit, në rast se janë shqiptarë, do të mund t’i drejtojnë seancat në gjuhën e tyre amtare, ndërkohë që të gjitha aktet që do të nxirren, do të jenë gjithashtu në dy gjuhë.

Me draft-ligjin për përdorimin e shqipes, parashikohet nisja e zbatimit të shqipes edhe në ekzekutiv, ku ministrat për herë të parë do të mund të flasin në seancat qeveritare në shqip, ndërsa zgjidhja parashikon që shqipja të zbatohet edhe në të shkruar, si dhe në relacionet e qeverisë me institucionet e tjera.

Pra, draftet e dala nga Qeveria do të shkojnë direkt në Kuvend apo organe të tjera, në të dyja gjuhët, përcjell Albeu.com.

Por, shqipja nis zbatimin edhe në sistemin gjyqësor. Aktet noteriale do të jenë gjithashtu edhe në shqip.

Megjithatë, në seancat gjyqësore ka ende paqartësi për shkak të ndërlikimeve që do të rrjedhin nga zbatimi i dygjuhësisë, varësisht palëve, ekspertëve të angazhuar si dhe dorëzimit të dispozitivëve etj.

Gjuha shqipe do të përdoret edhe në rajonet ku nuk jetojnë shqiptarë. Kjo masë pritet të përfshijë edhe tabelat nëpër vendkalimet kufitare.

Kërkesa e tyre për dokumente apo nevoja të tjera parashtrohet në shqip, ndërsa përgjigja do të kthehet sërish në shqip nga organet komunale, por pasi të jetë përpunuar nga një agjenci e posaçme në nivel republikan, e cila do të merret ekskluzivisht me përkthimin dhe dorëzimin të kërkesës drejt qytetarëve brenda afatit 1 orësh.

Po ashtu, në kuadër të këtyre zgjidhjeve, parashikohet edhe një Inspektorat që do të monitorojë veprimtarinë e Agjencisë, cilësinë e përkthimit, si dhe zbatimin e gjithë dispozitave që dalin nga draft/ligji për gjuhën.

Dokumentet personale, si letërnjoftimet, certifikatat, pasaportat etj., me draft-ligjin për shqipen do të jepen në mënyrë automatike në gjuhën respektive të qytetarit, pa nevojën sikurse deri më tani, të dorëzimit të një kërkese për gjuhën që kërkonte qytetari.

Gjuha shqipe do të gjejë përdorim edhe në kartmonedha, në komandën e policisë dhe atë ushtarake.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu edhe përshtatjen e tabelave edhe në gjuhënshqipe, sikurse ajo e Kuvendit dhe institucioneve të tjera. /albeu.com/
Shtuar më 22/02/2017, ora 08:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori