Gjenocidi serb në Srebrenicë, Berisha: E dënoni, por fshihni Vuçiçin

Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se teksti i rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë është hartuar nga njerëz zemërthyer dhe me qëndrim të dyfishtë.

Duke folur në Kuvend ai tha se rezoluta nuk përmend as Millosheviçin dhe as Vuçiçin.

Fjalimi i Berishës është filmuar gjatë gjithë kohës nga ambasadori boshnjak në Tiranë, i cili është i pranishëm sot në Kuvend teksa diskutohet rezoluta për Srebrenicën.

“Genocidi si forma më e urryer nuk mund të mos më sillte mua këtu kundër barbarisë serbe. Pasi refuzuat një rezolutë të opozitës sollët këtu një rezolutë, gjersa ajo dënon gjenocidin unë e vlerësoj, është e njerëzve me qëndrim të dyfishte. Dënoni gjenocidin por fshihni me qëllim ideologun, arkitektin e genocidit në Bosnje, si vllaun e Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç. Po si mund ta bëni ju këtë kur në të gjithë mediat e botës ekziston deklarata në Parlament e Vuçiç i cili zotohet se për çdo serb të vrarë do të vriten 100 myslimanë. A e kuptoni se Vuçiç ka vetëm një vend, ai është Haga, ju nuk guxoni ta dërgoni në Hagë por bëni gjithcka për ta kufizuar madje pa ju referuar kasapëve. Sa ju nderon ju kjo? Pse bëni strucin që ta dënoni me gjithë zemër masakrën më të madhe që ka njohur Europa,” u shpreh Berisha.