“Me 200 km/h dhe të dehur”, Rrugorja arreston 9 shoferë dhe vendos gati 3 mijë gjoba në 24 orë

Gjatë 24 orëve të fundit Policia Rrugore ka vënë në pranga 9 shoferë për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi. Gjithashtu gjatë së njëjtës periudhë kohore janë vene 2965 gjoba dhe janë pezulluar 63 patenta.

Policia u ka bërë apel shoferëve të mos shpejtojnë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Njoftimi

Mos drejto mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe mos shpejto, respekto rregullat e qarkullimit, për të mbrojtur jetën tënde dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Nën moton “Respekto rregullat e qarkullimit, shpëto jetë”, Policia Rrugore në të gjithë vendin vijon kontrollet e pandërprera në të gjitha akset rrugore nacionale dhe në qendrat urbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Në fokusin e kontrolleve të përqendruara nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore në DVP Tiranë dhe me Sektorët e Policisë Rrugore në 11 Drejtoritë Vendore të Policisë, janë shpejtësia mbi normat e lejuara, mosrregullimi i shpejtësisë, veçanërisht në qendrat e banuara, sjelljet agresive dhe manovrat e rrezikshme në rrugë, drejtimi i mjeteve pas përdorimit të alkoolit, parakalimet e gabuara, mospërdorimi i rripave të sigurisë, si dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjeteve.

Gjatë 24 orëve të fundit, në akset rrugore nacionale dhe në qendrat urbane, si rezultat i përdorimit të radarëve janë evidentuar dhe ndëshkuar shumë drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi që varionte nga 141 km/orë deri në 196 km/orë në aksin Sauk-Teg, në rrugën interurbane Tiranë Elbasan, ku gjatë verifikimit drejtuesi i mjetit që rezultoi me patentë të hequr u arrestua në flagrancë nga shërbimet e Policisë Rrugore. Gjithashtu, në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan, në Bërzhitë, është konstatuar nga radari, 19-vjeçari F. P., nga Tirana, duke drejtuar automjetin me 173 km/orë.

Po gjatë kontrolleve, nga efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë është  konstatuar duke bërë manovra të rrezikshme, automjeti me drejtues shtetasin me iniciale N. V., 52 vjeç, i cili pasi është ndaluar, nga verifikimi me aparatin alkooltestues ka rezultuar nën efektin e alkoolit në masën 1.35 mg/l testi i parë dhe 1.26 mg/l testi i dytë.

Gjatë kryerjes së veprimeve policore nga patrulla e Policisë Rrugore, ky shtetas, për të  shmangur sanksionet ligjore për shkeljen, i ka ofruar punonjësit të Policisë një kartëmonedhë të huaj me prerje 20 £. Në këto kushte u bë arrestimi i tij në flagrancë,  për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjithashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 63 leje drejtimi, nga të cilat 46 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 17 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Gjithashtu  janë ndëshkuar me masë administrative 2965 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri. /albeu.com


Shtuar 29.06.2021 16:21