Shtëpia e Alfabetit në pritje të restaurimit
Pëlqej
Shtëpia e Alfabetit në Manastir pret sërish nëntorin. Çdo vit, në vigjilje të shënimit të përvjetorit të festës së Abetares, ky institucion është në pritje të rikonstruktimit të brendshëm, të zgjidhë kontestet juridike për rimarrjen e ambienteve të saj.

Drejtuesit e institucionit, që pretendon të funksionojë si muze, janë në pritje të 22 nëntorit, festimit të radhës të 105 vjetorit të zhvillimit të Kongresit të Manastirit, që të mbyllë pjesërisht disa prej problemeve që i bart në vite.

Shtëpia muze që numëron një staf prej shtatë personash edhe në ato pak ambiente që disponon, nuk ka siguruar as kushtet më elementare për funksionim.

“Kushtet ku gjendet tani Shtëpia nuk e lejojnë zhvillimin e këtij institucioni. Janë dy dyqanet poshtë që nuk kemi arritur t’i rikthejmë, dhe vetëm për oborrin kemi shpresa që ta rikthejmë deri në 22 nëntor”,-thonë drejtuesit.

Nuk dihet se cilat janë arsyet që Shtëpia e Alfabetit prej vitesh trashëgon problemet e njëjta. Madje, buxheti që i dedikohet çdo vit nga Ministria e Kulturës është i vogël krahasuar me institucione të tjera të këtij lloji. Për rrjedhojë, edhe aktivitet vjetore, apo edhe ato të 22 nëntorit janë më të reduktuara dhe modeste.

Pesë vjet më parë, kur u shënua 100-vjetori i Kongresit të Manastirit, shtëpia u restaurua për herë të parë dhe në shpejtësi hapi dyert për shënimin e këtij përvjetori. Pas dy vjetësh, me një vendim të Qeverisë u themelua si muze, por statusi është i vlefshëm vetëm në letër. /albeu.com/
Shtuar më 11/10/2013, ora 12:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori