Shqiptarët të dëshpëruar kërkojnë barazi në drejtësinë maqedonase
Në protestë morën pjesë shumë familjarë të të arrestuarverastin e Kumanovës, përfshi edhe të afërm të të arrestuarve në rastet tjera. Pjesë e kësaj protestë ishte edhe vajza e Arsim Bajramit (ish-pjesëtar i MPB-së) i dënuar me 13 vite burg për ngjarjet në “Lagjen e Trimave”.

Lënda gjyqësore për “Lagjen e Trimave” dhe të gjitha proceset tjera të montuara politike të rigjykohen, ndërsa rastet e inskenuara në kohën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, të mbështetur nga gjykatës të partizuar, të ripërsëriten nga fillimi… janë disa nga kërkesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilën dje, për të satën herë me radhë, protestuan në sheshin e “Skënderbe” dhe para Gjykatës Penale të Shkupit.

Kryetari i Këshillit të familjarëve të të burgosurve politik,
Shpëtim Pollozhani, në fjalimin para të pranishmëve, në protestën për rastin e Kumanovës dhe rasteve tjera të montuara, tha se në Maqedoninë e Veriut njëherë e përgjithmonë duhet të ndalohet gjykimi dhe shqyrtimi i lëndëve sipas standardeve të dyfishtë.

“Të bëhet balistika dhe ekspertiza profesionale e të gjitha të dhënave dhe fakteve materiale që i propozon mbrojtja. Të merren parasysh të gjitha shkeljet dhe lëshimet e qëllimshme procedurale. Në botën demokratike, të akuzuarit edhe për vepra më të rënda lirohen shkaku i lëshimeve procedurale. Me një venting në gjyqësor të largohen të gjitha ata gjykatës që për interesa partiake dhe karrieriste janë pjesë e proceseve të montuara dhe dënimeve drakonike ndaj shqiptarëve. Të përmirësohen kushtet në burgjet e vendit”, tha Pollozhani.

Ndodhitë në Kumanovë në vitin 2015 dhe më pas trajtimi institucional i këtyre ngjarjeve, për organizatorët e protestës “Stop standardeve të dyfishta”, është kulminacioni i montimit të rasteve kundër shqiptarëve. Megjithatë, siç tha Pollozhani, gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur edhe raste tjera, të cilët janë gjykuar sipas përkatësisë etnike.

“Jemi të revoltuar për injorimin dhe lirinë e shqiptarëve në krahasim me madhërimin e jetëve të joshqiptarëve, sikur të ishin ata lopët e shenjta të Indisë. Jemi të indinjuar se si një vrasje me paramendim, siç ishte rasti me Almirin e vogël, të interpretohet si një vrasje e paqëllimtë. Edhe pse vrasësi është i dënuar me katër vjet burg, ai nuk ka qëndruar as një vit prapa grilave. Jemi shumë të indinjuar për dënimin me nga 19 vite burg të dy djemve të ri shqiptarë, të cilët pa paramendim dhe pa dashje, ia morën jetën një joshqiptari.

Të indinjuar jemi se si autorët e djegies së pronës shqiptare në Gjorçe Petrov të Shkupit nuk u dënuan dhe aq më pak – afaristët shqiptar u dëmshpërblyer”, theksoi Pollozhani. Toga e zeza (gjykatësit), siç tha Pollozhani, janë shpirt zinj. Me veprimet e tyre ata paraprakisht e montuan rastin e “Sopotit”, më pas atë të alfës “Alfën”, “Monstrën” e plot tjera, shtoi ai, njofton Koha.mk.

Në këtë protestë, morën pjesë shumë familjarë të të arrestuarverastin e Kumanovës, përfshi edhe të afërm të të arrestuarve në rastet tjera. Pjesë e kësaj protestë ishte edhe vajza e Arsim Bajramit (ish-pjesëtar i MPB-së) i dënuar me 13 vite burg për ngjarjet në “Lagjen e Trimave”. Para të pranishmëve ajo shprehi dëshirë që babai i saj të lirohet sa më shpejtë dhe të kthehet në shtëpi.

Ndryshe, edhe pse Qeveria e re në krye me Zoran Zaevin, para dhe pas marrjes së pushtetit pati paralajmëruar hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës, ajo deri më tani nuk është realizuar dhe me gjasë, nuk do të realizohet asnjëherë. Këtë situatë më së mirë e sqaron mungesa e informacionit që e kishte ministrja e Drejtësisë, Renata Desksoska, e cila tha se nuk ka të dhënë se deri në cilën fazë është kjo procedurë. Ngjashëm u deklarua edhe shefja e Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janeva, e cila shtoi se deri më tani, nga “bombat” e shqyrtuara kanë zbuluar vetëm indikacione të vogla, por jo edhe dëshmi të forta. Ajo u shpreh skeptike se PSP-ja do të marrë përsipër këtë lëndë.
Shtuar më 09/05/2019, ora 16:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori