Shqiptarët padisin Maqedoninë në Strasburg
Diskriminimi që u bëhet ish të burgosurve dhe persekutuarve politik shqiptarë kundrejt atyre maqedonas, ka bërë që Shkupi zyrtar të paditet në Gjykatën ndërkombëtare të Strasburgut.

Shqiptarët kanë vendosur të kërkojnë të drejtën e tyre për dëmshpërblim, pasi siç thonë i kanë konsumuar të gjithë mekanizmat në institucionet vendore.

Ata shprehen të sigurt se në Maqedoni ekziston Ligj i miratuar në vitin 2002, i plotësuar dhe ndryshuar në vitin 2005, që zgjidh problemin e të dënuarve politikë, por që has zbatimin në praktikë vetëm te pala maqedonase e jo edhe tek ajo shqiptare. Ky diskriminim është pikënisja për të kërkuar drejtësinë në gjykatën ndërkombëtare të Strasburgut.

“Që nga qershori filluam procedurën dhe deri tani para disa ditësh kemi marrë disa akt-gjykime nga Gjykata e apelit dhe kjo do të thotë se juridikisht këtu në Maqedoni është mbyllur, ka mbaruar. Kjo është rruga jonë. Ne plotësojmë kushtet për të shkuar në Strasburg, e të kërkojmë të drejtat tona",-tha Shpëtim Pollozhani, kryetar i shoqatës së ish të burgosurve politikë shqiptarë.

Bëhet fjalë për 15 kategori të të persekutuarve që datojnë që nga viti '43 e pas, që arrijnë numrin e mbi 20 mijë personave. Të burgosur politikë janë regjistruar rreth 5200./albeu.com/
Shtuar më 13/10/2013, ora 11:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori