Shqiptarët në New Jersey festuan 6-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës (VIDEO)
6-Vjetori i Pavarësisë së Kosovës është festuar edhe nga shqiptarët që jetojnë në New Jersey të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shqiptarët në New Jersey dhe jo vetëm, e festuan këtë ngjarje të rëndësishme ashtu sic i shkon kësaj date, të gjithë të bashkuar në një event madhështor organizuar nga Qendra Kulturore Shqiptare në New Jersey (Albanian Cultural Center New Jersey).

Programi festiv u organizua në sallën e shkollës Bergen Arts and Science Charter School në Garfield.

ACC organizoi mbrëmjen me rastin e pavarësisë së Kosovës ndërsa të ftuar ishin intelektualë, biznesmenë, aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit Shqiptar nga zona e Tri-Shtetëshit: New York, Connecticut dhe New Jersey.

Çelja e festës së Pavarësisë së shtetit të Kosovës në këtë manifestim të bukur u bë me himnin kombëtar shqiptar, atë amerikan si dhe me melodinë e himnit të shtetit të Kosovës.

Më pas, drejtori dhe një nga themeluesit e qendrës, z. Shaban Gjoka, mbajti fjalën e hapjes. Ai falenderoi fëmijët e qendrës si dhe stafin për punën e tyre të palodhur në organizimin e programit. Gjithashtu ai falenderoi prindërit si dhe gjithë të pranishmit në sallë për pjesëmarjen.

Manifestimi i pavarësisë së Kosovës u shoqërua me fjalime te personaliteteve te tjere dhe një performancë të shkëlqyer të fëmijëve të qendrës ACC me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat, të cilat ”korrën” një lumë duartrokitjesh të shumta nga të pranishmit. Të mahnitur nga performanca e fëmijëve të vet, prindërit e vetë fëmijëve por edhe të pranishmit e tjerë nuk mund ta fshehnin entuziazmin i cili mbizotëroi gjatë gjithë shfaqjes.

Një risi shoqëroi këtë mbrëmje, ku në emër të Qendrës Kulturore Shqiptare në New Jersey u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për “Gjyshin më të mirë të vitit”, “Gjyshen më të mirë të vitit”, “Mësuesin ESL të vitit”, “Bujarinë Shqiptare” si dhe u dha cmimi i mirënjohjes “Ambasadorë të Kulturës Shqiptare”.

Mbrëmja u finalizua me këngët e mrekullueshme live të këngëtares së mirënjohur të muzikës shqiptare Merita Halili dhe mjeshtrit të njohur të muzikës z. Raif Hyseni. /albeu.com/
Shtuar më 27/02/2014, ora 13:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori