Shqiptarët e kanë në dorë rrethin e dytë, Talat Xhaferi president i ardhshëm?
Fati i zgjedhjeve presidenciale dhe arritja e cenzusit është në duar të shqiptarëve. Analistet Todor Pendarov dhe Qashif Bakiu janë të ndarë në mendime sa i përket arritjes së cenzusit.

Todor Pendarov thotë se është për të ardhur keq që edhe pas 30 viteve si shtet po flasim për organizim të zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Sipas tij, këtë mendim është dashur që ta heqim nga mendja shumë kohë më parë. Ai thotë se humbës i këtyre zgjedhjeve është Zoran Zaev.

“Pavarësisht se kandidati I LSDM-së ka më shumë vota, Zaevi është në një mënyrë humbës. Mickovski me 300 e ca mijë votat të cilat janë të profesoreshës Siljanovska, është etabluar si lider i opozitares VMRO-DPMNE që ishte edhe qëllimi kryesor I tij. Sa i përket rrethit të dytë, unë mendoj se në rrethin e dytë, fitues do të jetë zoti Talat Xhaferi. Kjo sipas kushtetutës dhe jo në bazë të rezultateve. Kjo do të thotë që nuk do të ketë census”, theksoi Todor Pendarov, analist.

Bakiu thotë se zgjedhjet e djeshme ishin një mesazh i qartë për partitë politike në përgjithësi se qytetarët dinë të vlerësojnë dhe në mënyrë demokratike të japin votën e tyre. Sipas Bakiut, votuesit treguan dje se dinë edhe të gjykojnë.

“Ky census mendoj se varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga votuesit shqiptarë, respektivisht nga aktiviteti i partive politike shqiptare. Pazar me votat e qytetarit shqiptar është vështirë të bëhet. Mendoj se mesazhi më i fuqishëm që doli nga zgjedhjet e djeshme është se kandidatët të cilët garojnë në zgjedhjet presidenciale do të duhet të përballen, respektivisht të takohen me votuesin shqiptar dhe ta bindin votuesin shqiptar se si të votojë”, potencoi Qashif Bakiu, analist.

Ndryshe në nenin 82 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut thuhet se, në rast të vdekjes, dorëheqjes, pamundësisë së përhershme që ta ushtrojë funksionin ose ndërprerjes së mandatit sipas fuqisë së Kushtetutës, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Republikës, funksionin e Kryetarit të Republikës e ushtron Kryetari i Kuvendit. Në kushtetutë thuhet se kur Kryetari i Kuvendit e ushtron funksionin e Kryetarit të Republikës, ai merr pjesë në punën e Kuvendit pa të drejtë vendosjeje.
Shtuar më 23/04/2019, ora 10:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori