Iran: Dy gra dënohen me vdekje pas aktivizmit për komunitetin LGBT

Dy gra iraniane janë dënuar me vdekje për shkak të aktivizmit të tyre për komunitetin LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor).

Agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, ka bërë të ditura dënimet për Zahra Hamadani-n dhe Elham Chubdar-in më 5 shtator, pasi rrjeti për të drejta të njeriut, Hengaw, ka thënë se të dyja grave u është bërë i ditur dënimi disa ditë më parë.

Garda Revolucionare Islamike, ka akuzuar dy gratë për “promovim të homoseksualitetit, mashtrime, promovim të marrëdhënieve të paligjshme seksuale, si dhe publikimin e tyre në internet”.

Hengaw ka thënë se Gjykata Revolucionare e Urmias, ka vendosur që të dyja janë fajtore për akuzat “korrupsion në Tokë”, “promovim të fesë së krishterë” dhe “komunikim me mediat që kundërshtojnë Republikën Islamike”.

As Hamdani, 31-vjeçare, dhe as mbështetësit e saj nuk kanë komentuar akuzat.

Ajo është ndaluar nga autoritetet edhe në tetor të vitit 2021 për postimet e saj në rrjetet sociale në mbrojtje të komunitetit LGBT.

Një muaj më vonë, ajo është arrestuar teksa ka qenë duke u larguar nga shteti dhe raportohet se nuk ka pasur qasje te avokati i saj.

Pjesëtarët e komunitetit LGBT detyrohen të fshehin orientimin e tyre seksual në Iran, pasi homoseksualiteti është i ndëshkueshëm me vdekje./REL