250 milionë euro nga shitjet, zbulohet plani i bujshëm Barcelonës për merkaton (FOTO LAJM)

Ashtu si të gjitha ekipet e tjera, edhe Barcelona do të ketë shumë probleme dhe vështirësi në merkaton e këtij sezoni. Por katalanasit kanë marrë vendimin për ta forcuar akoma më shumë skuadrën dhe duan të afrojnë lojtarë cilësorë. Dy nga objektivat kryesorë të Barcelonës janë Miralem Pjaniç dhe Lautaro Martinez.

Dy emra, të cilët kërkojnë qindra miliona euro për t’u transferuar në La Liga. Barcelona është e detyruar që të përfshijë lojtarë të tjerë në këto operacione, ose të gjejë të ardhura nga shitja e atyre të huazuarve. Në të dyja rastet, katalanasit duhet të luftojnë sepse nuk janë objektiva lehtësisht të arritshëm. Për Lautaro Martinezin duhen 111 milionë euro, sepse argjentinasi ka klauzolë me Interin, e cila është e vlefshme nga 1 korriku deri më 15 korrik.

Po ashtu edhe transferimi i Miralem Pjaniçit duhet të arrijë në shifrat 50 milionë euro. Ekziston mundësia që katalanasit të përfshijnë lojtarë të tjerë në bisedime dhe lojtari që i pëlqente si Juventusit ashtu edhe Interit është Artur Melo. Braziliani nuk dëshiron të largohet nga katalanasit, ndërsa zikaltrit kanë shfaqur interes edhe për Xhunior Firpon. Ky i fundit vlerësohet 30 milionë euro. Por nëse asnjë lojtar nuk pranon që të transferohet tek Interi, apo zikaltrit heqin dorë nga kjo strategji, atëherë Barcelonës i lind detyra që t’i gjejë milionat në një tjetër mënyrë.

KUTINJO- Lojtari më i vështirë, por që mund të sjellë shumë të ardhura është Filipe Kutinjo. Mesfushori brazilian, i huazuar te Bajerni nuk do të qëndrojë më në Bundesligë sepse këta të fundit nuk do ta zotërojnë kartonin e tij, por do të largohet. Premier Liga është destinacioni i preferuar për lojtarin, por Barcelona kërkon afro 100 milionë euro. Vlerë, e cila vështirë të arrihet për shkak të problemeve fizike që ka pasur lojtari dhe krizës ekonomike. Totenhemi dhe Arsenali po e monitorojnë situatën e tij, por vështirë që të arrijnë në kërkesat e Barcelonës.

TODIBO- Mbrojtësi Todibo është një nga ata që do të sakrifikohet dhe katalanasit presin 25 milionë euro prej tij. Shalke e ka huazuar, por duket se nuk do ta ushtrojë të drejtën e blerjes së kartonit. Todibo ndiqet nga disa skuadra të Premier Ligës, Serisë A dhe Bundesligës. Evertoni është një prej ekipeve që ka shfaqur interes dhe Barcelona ka raporte të mira me anglezët pas marrëveshjeve për Minën, Dinjen dhe Andre Gomeshin. Për momentin nuk ka ardhur asnjë ofertë zyrtare. Roma gjithashtu ka pyetur lojtarin ashtu si Bajer Leverkuseni apo Monako.

Edhe Juventusit i pëlqen, por “Zonja” e ka të mbipopulluar këtë repart. Lojtarët e tjerë të huazuar që do të largohen janë Rafinja, për të cilin kërkohen 16 milionë euro. Arturo Vidal gjithashtu është në shitje dhe Barcelona shpreson të arkëtojë 15 milionë euro prej tij. Për Semedon duhen 50 milionë euro, ndërsa nga 8 deri në 15 milionë mund t’i sjellë Musa Vag. Pa harruar milionat që mund të sjellin Samuel Umtiti dhe Ivan Rakitiç. Me pak vështirësi, Barcelona mund t’i arrijë objektivat. Duhet të bëjë kompromis me veten që në disa raste të ulë vlerën e lojtarëve, sepse skuadrat e tjera nuk i paguajnë dot për shkak të krizës së “COVID-19”.


Shtuar 28.05.2020 19:31