Enrike Cerezo ironizon Klopp: “Anfield” është shumë i vjetër, nuk kalon kontrollin teknik

“Mirë se vini në ‘Anfield’, nuk ka mbaruar asgjë akoma”. Këto janë fjalët me të cilat mbrëmë Jurgen Klop kërcënoi Atletiko Madrid për ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve, pasi humbi 1-0 duelin e parë në Madrid.

Trajneri gjerman ishte i bindur se me atmosferën magjike të stadiumit legjendar, do të përjetohej një sfidë krejtësisht ndryshe dhe kualifikimi nuk duhej cilësuar kurrsesi i mbyllur.

Por presidenti i Atletiko Madrid, Enrike Cerezo, nuk ka ngurruar t’i kthejë përgjigje në mënyrën e tij trajnerit gjerman, ndërsa fliste për duelin që pa skuadrën e tij të dilte triumfuese.

“Sipas shtypit, deri një javë më parë ishim të vdekur e tani jemi shumë të gjallë. Kishin thuajse 30 ndeshje pa humbur, thonë që është ekipi më i mirë në botë. Jemi të lumtur me rezultatin por ka edhe një ndeshje tjetër. Por u kthyem përsëri në formën më të mirë dhe ky është lajmi më i rmië.

Vështirësi në ndeshjen e kthimit? Ai që godet i pari, godet dy herë. Të shohësh një tifozeri kaq të lidhur me ekipin ishte e pabesueshme, ishte një spektakël. ‘Anfield’ është një stadium i madh, por është i vjetër, nuk do të kalonte inspektimin teknik nëse do t’i bëhej”, tha duke qeshur ai.


Shtuar 19.02.2020 18:31