Shkujdesja e Tiranës zyrtare për shqiptarët e Maqedonisë
Pëlqej
Nga Lavdrim Lita

Në konferencën e organizuar për 5 vjetorin e anëtarësimit në NATO në Tiranë me 2 prill i pata bërë një pyetje ish-zëvendësministres së Jashtme znj.

Edit Harxhi dhe shefit të Shtabit gjeneralmajor Bazo, nëse Shqipëria e shikonte opsion kushtëzimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit duke patur shembull strategjinë greke të kushtëzimit të emrit.

Diplomatja e rafinuar znj. Harxhi m'u përgjigj se politika jonë e jashtme gjithmonë ka qenë inkludimi dhe jo përjashtimi i Maqedonisë në proceset euro-atlantike të rajonit duke zbatuar një formule të njohur “stabiliteti mbi të gjitha”.

Ndërsa përfaqësuesi i ambasadës së Maqedonisë në këtë konferencë që u prezantua si konsulli Marku e cilësoi si “provokative” pyetjen.

Ndërkohë kësaj pyetje, njësoj si diplomatja Harxhi, iu përgjigj të enjten e kaluar edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati gjatë deklarimit në kuvend të kryeministrit Edi Rama se “rruga e Maqedonisë kalon nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit”.

“Gabimisht” kjo deklaratë e Kryeministrit Edi Rama ka marrë interes mediatik tek shqiptarët e Maqedonisë si një interesim të shtetit shqiptar për ta. E vërteta është se kujdesja e Tiranës zyrtare për shqiptarët e Maqedonisë është afër zero.

Ne nemi në një ngrirje të çështjes kombëtare përderisa ministria jonë e Jashtme i ka marrë hua Turqisë formulën “zero probleme me fqinjët”. Fryma përçarëse që karakterizon politikanët shqiptarë në Maqedoni e reflekton më shumë se kushdo këtë gjë.

Me idenë e mos përzierjes në punët e brendshme të Maqedonisë, Tirana zyrtare ka heshtur si fija e barit për vendosjen e statujës së mbretit serb, Car Dushanit në qendër të Shkupit apo ka heshtur për diskriminimin gjyqësor që u bëhen shqiptarëve nga Gjykatat dhe sistemi i njëanshëm i drejtësisë në këtë vend.

Kryeministri Gruevski i tredh politikanët shqiptare përmes “dajës” së tij, Sasho Mihajllkov, shef i shërbimit sekret që bën pazare me shefat e partive shqiptare sa herë bëhen zgjedhje. Dhe kur s’ka zgjedhje ai paralajmëron zgjedhje të reja siç bëri dje koordinatorja e VMRO-DPMNE.

Leximi i kësaj deklarate toksike mund të interpretohet si një presion i hapur për BDI-në, e cila ruan një pavarësi nga politikën e jashtme e Gruevskit, i cili më shumë solidarizohet me Rusinë sesa me botën perëndimore. Në Maqedoni në mënyrë ciklike shfaqet fantazma e zgjedhjeve të parakohshme që frikëson stabilitetin e institucioneve dhe investitorët.

VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski që avokaton kësisoj lajmesh duket më e interesuara për të hyrë në zgjedhje të parakohshme, sidomos pas projeksioneve negative të politikës së brendshme në planin ekonomik, investimeve dhe deficitit në buxhetin shtetëror, dhe asaj të jashtme ku përparimi euroatlantik është në vendnumëro. Fantazma e zgjedhjeve të parakohshme tremb partitë e pareformuara dhe pa vizion.

Një parti me vizion të qartë qeverisës që synon të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike, punon çdo ditë dhe nuk e ka mendjen të provokojë çdo herë zgjedhje të parakohshme për të devijuar vëmendjen nga keqqeverisja./albeu.com/

Shtuar më 22/09/2014, ora 22:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori