SHBA vendos testin e Covid-19 për vizitorët nga Kina

SHBA është bërë vendi më i fundit që vendos testimin e Covid për vizitorët nga Kina, pasi Pekini njoftoi se do të rihapë kufijtë javën e ardhshme.

Italia, Japonia, Tajvani dhe India gjithashtu njoftuan teste të detyrueshme, por Australia dhe Britania e Madhe thanë se nuk kishte rregulla të reja për udhëtarët nga Kina.

Pas tre vitesh mbyllje për botën, Kina do t’i lejojë njerëzit të udhëtojnë më lirshëm nga 8 janari.

Por rritja e vazhdueshme rasteve me Covid në vend ka ngjallur shqetësime. Kina po raporton rreth 5,000 raste në ditë, por analistët thonë se numra të tillë janë shumë poshtërealitetit dhe ngarkesa ditore e rasteve mund të jetë afro një milion. Spitalet janë të mbingarkuar dhe banorët po luftojnë për të gjetur ilaçe bazë, sipas raporteve.

Të mërkurën, SHBA tha se mungesa e të dhënave “adekuate dhe transparente” të Covid në Kinë kishte kontribuar në vendimin për të kërkuar teste Covid nga 5 janari për udhëtarët që hyjnë në vend nga Kina, Hong Kongu dhe Macau.

Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë se kjo ishte e nevojshme “për të ndihmuar në ngadalësimin e përhapjes së virusit ndërsa ne punojmë për të identifikuar… çdo variant të ri të mundshëm që mund të shfaqet”.

Por Ministria e Jashtme e Pekinit të mërkurën kishte thënë se rregullat e koronavirusit duhet të vendosen vetëm mbi një bazë “shkencore” dhe akuzoi vendet perëndimore dhe mediat për “alarm” të situatës.

Disa njerëz reaguan me zemërim në mediat sociale të censuruara nga Kina.

“Mendova se të gjitha vendet e huaja ishin hapur. A nuk është ky racizëm?” Komenton njëri që mori 3000 ‘like’ në Weibo. SHBA-ja ka thënë se testimi kërkohet për këdo që vjen nga Kina, ose nëpërmjet një vendi të tretë, pavarësisht nga kombësia.

Por të tjerët thanë se e kuptonin arsyen e kushteve: “Kjo nuk është asgjë në krahasim me të gjitha kufizimet që kishim për njerëzit që vijnë në Kinë,” shkroi një përdorues tjetër./albeu.com


Shtuar 29.12.2022 17:30