Akset problematike monitorohen me dron, Policia bën “kërdinë” në Elbasan (VIDEO)

Policia Rrugore e Elbasanit ka vijuar me kontrolle në akset rrugore kryesisht me rrezikshmëri më të lartë, siç ështe aksi lidhës me Librazhdin.

Nga kontrollet e bëra janë arrestuar 5 shoferë, dy prej të cilëve i jepnin mjetit në gjendje të dehur dhe të tjerë për shkeljen e qarkullimit rrugor. Po ashtu janë pezulluar plot 46 leje drejtimi.

Njoftimi i policisë:

DVP Elbasan/Kontrolle intensive për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Nisur nga shqetësimet dhe parregullsitë e konstatuara në raport me mënyrën e qakullimit dhe lëvizjeve të mjeteve, kryesisht në akset kryesore dhe dytësore, më së shumti nga mjetet e transportit publik, specialistët qarkullimit rrugor në DVP Elbasan kanë shtuar kontrollet.
Në të gjitha rrugët e qytetit dhe rrugët interurbane që lidhen me Elbasanin, janë shtuar monitorimet, duke përdorur kryesisht dron, kamera dhe aparate fotografike, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që abuzojnë, duke drejtuar mjetin me shpejtësi tej normave të lejuara, që kryejnë parakalime të gabura, që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, që përdorin celularin, për drejtuesit e mjeteve që nuk vendosin rripin e sigurimit gjatë drejtimit të automjetit dhe për drejtuesit e motomjeteve që nuk përdorin kaskën mbrojtëse.
-Në funksion të kontrolleve parandaluese, gjatë 1 jave, nga Policia Rrugore e Elbasanit janë arrestuar 5 drejtues mjetesh, nga të cilët 3 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
-Janë hequr dhe sekuestruar nga Policia Rrugore e Elbasanit, 10 targa, të cilave u kishte skaduar afati apo që nuk i takonin mjeteve/motomjeteve në të cilat ishin vendosur.
-Gjithashtu, janë pezulluar 46 leje drejtimi, nga të cilat: 15 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, 27 për tejkalim të shpejtësisë dhe 4 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, që parashikohen me sanksion plotësues pezullimin e lejes së drejtimit.
-Janë vendosur 1507 masa administrative, me një mesatare prej 215 masa në ditë, kryesisht për mosvendosjen e rripit të sigurimit, përdorim celulari, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, për parakalime të gabuara, për shpejtësi mbi normën e lejuar, për drejtim mjeti nën efektin e pijeve alkoolike dhe për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalizimin rrugor dhe rregullat e qarkullimit.
Policia Rrugore e Elbasanit falenderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm. /albeu.com


Shtuar 11.02.2022 11:53