Shekerinska në Shqipëri: Rajoni mësoi nga gabimet e veta
Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) Radmilla Shekerinska, sot mori pjesë në kremtimin me rastin e 10-vjetorit të hyrjes së Republikës së Shqipërisë në NATO, mbajtur në Tiranë.

Në kuadër të kremtimit ministrja Shekerinska mori pjesë në konferencën “10 vjet Shqipëri në NATO – rajon më i sigurtë”, me ç’rast foli për anëtarësimin e RMV-së në NATO dhe politikën e Qeverisë për realizimin e këtij qëllimi strategjik për vendin.

Shekerinska tha se në vitet 2008 dhe 2009 RMV, së bashku me Shqipërinë, ecte drejt NATO-s, por që atëherë rrugët u ndanë.

“Kjo na dërgoi dy sinjale: së pari, qëllimet strategjike janë të realizueshme dhe politika e dyerve të hapura është reale, por në anën tjetër na kujtoi se në qoftë se lëshohet një shans, mund të ndodhë që të humbet një dekadë, dhe pikërisht kjo ndodhi me ne”, tha ministrja.

Ajo shtoi se vendi sidoqoftë ka bërë përparim të jashtëzakonshëm që na ka shtyrë të përmbushim një nga synimet strategjike – anëtarësimin në NATO.

“Për një vit e gjysmë, qeveria me sukses e ktheu vendin në rrugën euroatlantike, bëri reforma serioze të mbrojtjes dhe reforma më të vështira politike, që nënkupton edhe investimin e rëndësishëm në marrëdhëniet e mira ndëretnike. Ne trajtuam problemet më të vështira, në të kaluarën këto ishin marrëdhëniet me fqinjët tanë – së pari me Bullgarinë dhe më pas me Greqinë. Vlen të theksohet se kemi arritur të gjejmë zgjidhje për mosmarrëveshjen e gjatë me Greqinë, dhe kjo tregon se në rajon ne jo vetëm që mund të shikojmë përpara, por mund edhe të jemi kreativ në gjetjen e zgjidhjeve edhe për problemet më të vështira“.

Shekerinska falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e saj të fortë në procesin e pranimit, si dhe për ratifikimin e shpejtë të protokollit të pranimit për anëtarësimin e Maqedonisë në Veriore në Aleancë.

“Gjëja më pozitive ishte që vendet fqinje, në procedura shumë të shpejta dhe efikase, ratifikuan traktatin e pranimit, gjë që tregon se rajoni mëson nga gabimet e veta. Ne nuk e shohim veten si armiq, por si aleatë të afërt. Dje, ne morëm lajmin e mirë nga Uashingtoni, se Shtëpia e Bardhë kishte dorëzuar propozimin dhe raportin mbi ratifikimin e protokollit në Senatin amerikan” tha ministrja.

Shekerinska tha se anëtarësimi në NATO “hap perspektiva të reja, por edhe përgjegjësi që ne jemi të gatshëm t’i ndërmarrim”.

“Qeveria jonë ka vendosur të rrisë buxhetin e mbrojtjes çdo vit me 0.2 përqind deri në vitin 2024. Ishim pjesë e misioneve të NATO-s së bashku me Italinë dhe përfaqësuesit e vendeve të A5 në rajon në të kaluarën. Më shumë se 4.000 ushtarë tanë kanë investuar në sigurinë globale në operacionet e drejtuara nga Aleanca”, shtoi ministrja.

Lidhur me efektin ekonomik nga anëtarësimi në Aleancë, Shekerinska theksoi se si përvojat e vendeve që tashmë janë anëtare të NATO-s edhe në RMV vitin e kaluar kur është nënshkruar protokolli i pranimit, kanë ndikuar në rritjen e investimeve të huaja direkte katërfish, krahasuar me vitin 2017 , pra ato janë dy herë më të larta prej viteve më të mira nga hyrja e investimeve të huaja direkte.

Duke i uruar sërish Shqipërisë, Shekerinska tha se stabiliteti dhe siguria rajonale janë në plan të parë të NATO-s dhe shprehu kënaqësinë që vendi ynë bëhet një kontribues i paqes dhe prosperitetit në Ballkan.

Në konferencën, krahas nikoqires, ministres shqiptare Olta Xhaçka, morën pjesë gjithashtu ministrja italiane e Mbrojtjes Elizabeta Trenta.

Në kuadër të kremtimit, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë përgatiti një paradë ushtarake dhe aktivitete të tjera solemne për mysafirët e shumtë me rastin e përvjetorit dhjetëvjeçar të anëtarësimit në Aleancë.
Shtuar më 29/03/2019, ora 16:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori