PSG-ja ia kushton titullin e nëntë punëtorëve shëndetësorë dhe heronjve të përditshëm

Pas vendimit të Ligës Profesioniste të Futbollit të Francës (LFP) për të përfunduar edicionin 2019\2020, titulli i Ligue 1 i është dhënë Paris Saint-Germainit.

Titullin e nëntë në histori, PSG-ja ia ka kushtuar të gjithë punëtorëve shëndetësorë dhe mijëra profesionistëve të vijës së parë që punojnë çdo ditë për të mirën e qytetarëve të Francës.

“Ne duam që këtë titull të Ligue 1 t’ia dedikojmë stafit shëndetësorë dhe heronjve të përditshëm të vijës së parë të frontit, përkushtimi dhe sakrifica e të cilëve gjatë javëve të tëra ka merituar admirimin tonë të thellë. Ne kuptojmë, respektojmë dhe përkrahim vendimin e qeverisë së vendit për të përfunduar kampionatin. Shëndeti, ashtu si është thënë çdo herë, duhet të jetë prioritet i secilit. Dua të falënderojë lojtarët, trajnerin, stafin teknik dhe mjekësor si dhe punëtorët e klubit për punën e jashtëzakonshme. Ky trofe është shpërblim për punën e madhe të tyre. Në këtë kohë të vështirë, shpresoj që ky trofe do të sjellë pak gëzim dhe shpresë te tifozët tanë”, ka thënë presidenti i Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelafi për faqen zyrtare të klubit francez.


Shtuar 30.04.2020 17:43