SHBA i përgjigjet Ivanovit: Të formohet sa më shpejt qeveria e re
Dje, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov njoftoi se kishte dërguar një letër antarëve të Këshillit Europian, Presidentit të KE-së, Donald Tusk, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trumpit dhe homologut të tij turk Rexhep Taip Erdogan, në të cilën paraqiti ankesën e tij lidhur me krizën politike në vend.

Në këtë letër, Ivanov ka akuzuar edhe partitë shqiptare që pas zgjedhjeve me 18 deputetët e tyre prej gjithsej 120 në Parlament, kanë thelluar edhe më tej krizën politike duke krijuar platformë shqiptare me iniciativë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Presidenti gjithashtu ka shprehur frikën e tij që Platforma e shqiptarëve do të rrezikojë unitetin, sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë, shkruan Ivanov.

Nga ana tjetër, në përgjigje të kësaj letre, SHBA-ja është shprehur e interesuar për stabilitetin dhe prosperitetin e vendeve të rajonit.

Këtë e ka bërë të ditur sot në Zagreb, zëvendësndihmës sekretari shtetëror amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Brajan Hojt Ji.

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve në Maqedoni të jenë të gatshëm për kompromis dhe të formojnë qeverinë e re pas zgjedhore.

"Sinqerisht shpresojmë se presidenti maqedonas do të lejojë që deputetët që kanë shprehur dëshirë për të dhe partitë që ata përfaqësojnë të formojnë qeverinë sa më shpejt të jetë e mundur për shkak se Maqedonia ka nevojë për një qeveri që do të vazhdojë dhe do të përfundojë proceset e filluara në për anëtarësimin në Bashkimin Evropian", u shpreh Ji.

Lidhur me rajonin, ai theksoi se është e rëndësishme për të vazhduar me reformat dhe për të arritur standardet evropiane, që vendet e rajonit të vazhdojnë në rrugën euroatlantike. /albeu.com/
Shtuar më 08/03/2017, ora 10:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori