SHBA e zhgënjyer për mungesën e zgjidhjes së emrit
Pëlqej
Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker deklaroi se ka qenë e pritur rrjedha e tillë e Samitit të Lisbonës për Maqedoninë dhe se SHBA janë të zhgënjyer për mosgjetjen e deritanishme të zgjidhjes së kontestit të emrit.

“Nuk ka asnjë surprizë nga Samiti i NATO-s në Lisbonë. Kjo ishte ajo që të gjithë e parashikuam, dhe askush nuk ka pritur rrjedhë ndryshe. Shpresoj se nuk do të harxhoni edhe dy vite e gjysmë për të ardhur deri tek një zgjidhje e kompromisit të emrit, që është kusht për marrjen e ftesës për anëtarësim në Aleancë”, deklaroi ambasadori i SHBA-ve, Filip Riker gjatë vizitës së tij në Institutin për trashëgimi kulturore shqiptare “Pjetër Bogdani” në Shkup me rastin e 22 Nëntorit- Ditës së Alfabetit shqiptar.

Riker përsëriti qëndrimin amerikan se Uashingtoni shpreson se zgjidhja për kontestin të gjendjet sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Jemi të zhgënjyer që ende kjo nuk është arritur. Sido që të jetë, përgjegjësia është e liderëve dhe popullit të Maqedonisë për të gjetur zgjidhje përfundimtare. Shpresojmë se do të kuptojnë këtë dhe nuk do të presin edhe dy vite e gjysmë, ku do të parashtrohen të njëjtat çështje”, deklaroi Riker.

Ai shtoi se nisma për tejkalimin e kontestit të emrit duhet të vijnë nga Maqedonia dhe të mos pritet për dikë tjetër.

“SHBA duan të ndihmojnë, por ne nuk mundemi të dëshirojmë më shumë nga ju që të bëheni anëtare dhe të ndërmerrni aktivitetet e nevojshme për t`u bërë vend anëtar i NATO-s dhe të ecni përpara drejt asaj që është synim i juaji. Kjo është diçka që shpresoj se Maqedonia dhe Greqia do të pranojnë dhe të punojnë sa më shpejt në këtë drejtim. Siç kam thënë disa herë më herët, mos i bëni punët më të komplikuara nga ajo që janë. Të fokusoheni në çështjen që besoj se është lëndë e negociatave dhe si të zgjidhet ajo. Punoni në reformat dhe punoni bashkërisht me Greqinë për të ardhur tek një zgjedhje sa më të shpejt”, porositi ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Filip Riker, i cili nuk komentoi zërat për zgjedhje të parakohshme.
Shtuar më 22/11/2010, ora 17:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori