SHBA e BE: Kompromis të gjerë për regjistrimin
Pëlqej
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar kompromis të gjerë midis të gjitha forcave politike në Maqedoni lidhur me ligjin për regjistrimin e popullsisë.
Kërkesa të tilla kanë pasuar nga ambasadat e SHBA-ve dhe BE-së dhe se aktivitetet dhe mesazhet e tyre diplomatike do të përshpejtohen gjatë këtyre javëve.

Aktivizimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë do vijojë pas dallimeve të mëdha midis partive shqiptare, një njërën anë BDI dhe në anën tjetër DR dhe PDSH. Partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI gjatë kësaj jave pritet të harmonizojnë qëndrimet dhe të kalojnë dallimet lidhur me ligjin për regjistrimin e popullsisë.

Qartësimi i pozicioneve midis dy partive të koalicionit do të bëhet para se të vazhdoj debati parlamentar nëpër komisionet parlamentare për shqyrtimin e ligjit dhe amendamenteve të propozuara si dhe procedura për leximin e dytë të ligjit për regjistrim. BDI pritet të kalojë amendamentet e saj që kanë të bëjnë me qartësimin e çështjes së regjistrimit të popullsisë shqiptare që jeton jashtë vendit, ndërsa ndër kërkesat e tjera është edhe realizimi i punësimeve në Entin Shtetëror Statistikor (ESHS).

VMRO-DPMNE ka propozuar që të gjithë qytetarët që jetojnë më shumë se një vit jashtë vendit të mos përfshihen në regjistrim, dhe se kjo parti lidhur me këtë është thirrur në rekomandimet e EUROSTAT.
Gjatë kësaj jave pritet edhe vendimi i ri i Demokracisë së Re (DR), pas protestës së saj kundër Ligjit dhe pasi që deputetët e saj pezulluan aktivitetet dhe debatet e mëtejshme nëpër komisionet parlamentare për shqyrtimin e ligjit për regjistrim.

Regjistrimi i popullsisë sipas projektligjit qeveritar është propozuar për 1 prill të vitit 2011, ndërsa partitë shqiptare të opozitës kërkojnë që ai të mbahet në muajin korrik gjatë pushimeve verore, për shkak të përfshirjes së plotë të popullsisë shqiptare që jeton jashtë vendit. (ina)
Shtuar më 15/11/2010, ora 10:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori