Selmani: VMRO-DPMNE po bllokon Ligjin për Mediat
Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani sot ka deklaruar se janë të brengosur sepse partia opozitare VMRO-DPMNE, përmes debatit fiktiv në Komisionin Parlamentar për transport dhe lidhje, bllokon sjelljen e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele.

“Ligji i propozuar, mori mbështetje nga komuniteti i gazetarëve dhe kaloi ekspertizë ndërkombëtare nga OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës. Ai është i nevojshëm për fillimin e reformave në media në Maqedoni, të cilat duhet të përmirësojnë cilësinë e gazetarisë” tha Selmani.

Ai shtoi duke thënë se ky ligj e eliminon sistemin korruptiv për subvencionimin e prodhimit të vendit në televizionet private kombëtare, ofron model të ri për zgjedhjen e organeve drejtuese të RTM-së dhe të Agjencisë për media, i cili është më rezistues ndaj ndikimeve politike, ndërsa me të zvogëlohen në mënyrë drastike edhe gjobat për mediat.

“Mungesa e vetme e këtij ligji është se nuk siguron financim stabil dhe të qëndrueshëm të RTM-së dhe Agjencisë për media, që është kusht për pavarësinë dhe profesionalizmin e tyre. Është e çuditshme se nga 80 amendamente të propozuara nga opozita, asnjëri nuk i referohet kësaj mangësie kaq të rëndësishme të ligjit”.

Selamni tha se kjo tregon se preokupim kryesor i deputetëve të VMRO-DPMNE-së nuk është fati i RTM-së, por se si nëpërmjet të prolongimit të diskutimit për amendamentet t’i mbrojë njerëzit е saj në Këshillin Programor të RTM-së dhe në Agjencinë për media.

“Nëse pushteti nuk vepron në këtë mënyrë, do të vë në dyshim përkushtimin e tyre të sinqertë për miratimin e ndryshimeve të ligjit për SHMAA dhe për zbatimin e reformave mediatike”. ka shtuar ai.


Shtuar më 29/06/2018, ora 15:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori