Nga stili “easy” i Manastirliut te kostumi “ushtarak” i Ballukut! Kush gaboi me veshjen sipas Stela Sallakut (FOTO LAJM)

Stela Sallaku ka bërë një analizë të veshjeve të kabinetit qeveritar gjatë ditës së sotme.

Ajo ka nxjerrë në pah tipare të ndryshme të veshjeve, që pas shpjegimit që i bën, nxjerr në pah një arsyetim interesant mbi zgjedhjet e bëra.

Argumentat e Sallakut:

Ka disa nga daljet publike të fundit të Elisa Spiropalit, që dua të them diçka për veshjen e saj. Kostumi me vija, për të cilin kemi duartrokitur në javët e modës, i shkon më shumë se çdo gjë tjetër. Edhe kostumi që ka veshur më poshtë, me jakën “wide peak” dyshe, i jep një pamje më elegante siluetës se sa prerjet e tjera. Kombinohet mirë me një palë pantallona me shtrat të lartë, të cilat lënë pak vend për të ekspozuar këmishën ose bluzën poshtë.

Nuk mund të them të njëjtën gjë për prerjen e kostumit të Edonës, deputetes nga Shkodra. Xhaketa është një masë (ose dy) më e vogël se sa masa e saj trupore. Çdo xhaketë që nuk kopsitet, ose kopsitet me vështirësi nuk të përfaqëson siç duhet. Për të mos folur për këmishën “pussy-bow” (me jakë të lidhur fjongo), e cila rekomandohet vetëm për dikë që është më e imët në pjesën e bustit. Ndryshe ka tendencën të duket më e varur se sa duhet.

Dua të duartrokas virtualisht kostumin e vetëm me ngjyrë në foto, atë të kuqin e ministres së Bujqësisë, Frida Krifca. Jo më kot e kuqja quhet dhe ngjyra e guximshme (bold), por si e tillë ka tendëncën të tregojë çdo detaj në qepje, prerje apo dizajn. Në këtë rast janë në harmoni. Më pëlqen kombinimi i bluzës me këpucët, të cilat për fat të mirë nuk janë të zeza.

“Easy” do e quaja kostumin e ministres Manastirliu. Easy sepse nuk duket shumë formal, easy për shkak të gjatësisë së pantallonave, easy për xhaketën me rrip. Easy llojin e tokëzës së rripit, easy për modelin e flokëve dhe easy për bardhezinë e veshjes.

Rruazat e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka për shembull janë e kundërta e “easy-t”. Më kujtojnë atë modën e dy dekadave më parë që uroj të mos kthehet më. I tregon edhe modelet 18-vjeçare, 10 vite më të mëdha.

Kostumi i zonjës Balluku më kujton (nga xhepat) një dizajn të Ralph Lauren, diku nga vitet 2000, që nuk u kthye më në modë (dhe mirë bëri). Xhepat oversize vënë në pah pikërisht pjesën e barkut dhe kofshëve, duke prishur balancën e krejt look-ut. Ngjan edhe me xhaketat tradicionale ushtarake.

Kopsat në pjesën e majtë të xhaketës, janë një nga detajet që e bëjnë edhe xhaketën më standarde, të duket ndryshe. Më me stil, më në modë. Parizienët i shtojnë edhe një shall mëndafshi, për detaj, ministrja e Arsimit Evis Kushi, ka preferuar ta mbajë thjesht, pa spila dhe pa shall.

Ndërsa Delina Ibrahimaj, ministrja e Financave, më kujton Margaret Thatcher, e cila në shumicën e rasteve ka pasur një kostum të tillë blu.

Ministrja Mirela Kumbaro i qëndron besnike stilit të saj, minimalist e pa zhurmë. Nuk e kritikon dot stilin klasik për korrektësi në veshje./albeu.com


Shtuar 18.09.2021 21:08