SPAK kërkoi arrestimin e Alqi Bllakos, Rama mbledh me urgjencë ministrat

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ministrat te Vila 31.

Ky takim pune i kryeministrit me ministrat vjen pak pasi Struktura e Posaçme  (SPAK) kërkoi arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako, si të përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Mësohet gjithashtu se Rama do të mbledhë ditën e nesërme kryesinë në orën 17:00.

Kujtojmë se, SPAK i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit heqjen e mandatit Alqi Bllakos.

“Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg”“, thuhej në njoftimin e SPAK.

Ish-ministri i mjedisit Lefter Koka, tashmë pas hekurave, dhe Alqi Bllako, asokohe në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet në favor të projektit të shoqërive koncensionare.

SPAK ka sekuestruar po ashtu një apartament me vlerë rreth 150 milionë lekë të vjetra në pronësi të babait të deputetit, e cila dyshohet se është vënë si pasojë e aktiviteteve të paligjshme.

“Caktimi i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit E. B., lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 m2, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë“, njofton SPAK.

Kujtojmë se babai i Alqi Bllakos ka qenë punonjës i një prej kompanive të trajtimit të mbetjeve, duke marrë një rrogë prej afro 12 milionë lekësh të vjetra çdo muaj./albeu.com


Shtuar 29.03.2022 13:37