Sela dhe Llabënishti fushatë të përbashkët në Strugë
Kandidati për kryetar të komunës së Strugës nga radhët e PDSH-së Ziadin Sela fushatën e tij për rrethin e dytë zgjedhor e vazhdoi me takime intensive me banorët e fshatrave Tatesh, Bogovicë dhe Misllodezhdë. Sela kërkoi që shqiptarët më 7 prill të dalin në mënyrë masive të votojnë për të pasi beteja për Strugën sipas tij është kombëtare. Në mbështetje të kandidatit të PDSH-së në Strugë Ziadin Sela, sot doli edhe ish kandidati i BDI-së në këtë qytet Arbën Llabënishti, i cili u apeloi mbështetësve të ti, të votojnë kandidatin e PDSH-së.

‘Natyrisht që në raundin e dytë neve kemi festë kombëtare dhe nuk kemi betejë politike,e falënderoj Arbenin që gjendet pranë meje,tani në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 2013-ës dhe natyrisht që neve do dalim fitimtarë. Ashtu siç deklarova dhe deklaruam pasi mbaroj raundi i parë i zgjedhjeve,beteja në Strugë është betejë kombëtare dhe Shqiptarët do dinë ta fitojnë atë’, deklaroi Ziadin Sela, kandidat i PDSH-së për Strugën, shkruan Alsat-M.

“Sot kur veç kanë filluar tubimet e zotit Sela me qytetarët në vendbanimet e Strugës,jam bashkë me të,krah për krah edhe njëherë për të apeluar dhe për të çuar një mesazh përsëri tek të gjithë struganët, tek të gjithë ata shqiptarë që ja duan të mirën Strugës,ja duan të mirën familjarëve të tyre që më 7 prill të mbështesin kandidaturën e Ziadin Selës", tha Arben Llabënishti, ish kandidat i BDI-së për Strugën.

Në Strugë sot qëndroi edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i cili në takim me strukturat e partisë së tij, kërkoi që në rrethin e dytë zgjedhor të votohet kandidati i PDSH-së Ziadin Sela. Kandidati i PDSH-së Ziadin Sela sonte do të mbajë tubim parazgjedhor në Veleshtë. /albeu.com/
Shtuar më 03/04/2013, ora 09:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori