Deri në 75% të stadiumit me tifozë, nga Spanja vjen lajmi i madh

Klubet e Futbollit të La Ligas dhe ekipet e Basketbollit në ACB mund të marrin “frymë” lirisht pasi sezoni i ri do të nisë me tifozë në stadium dhe nuk do të jenë pak në numër.

Lajmin e madh për sportin iberik e dha ministrja e Shëndetësisë, Carolina Darias në një konferencë ku bëri të ditur se fillimisht tifozët do të lejohen vetëm në këto kategori elitare.

“Ne do t’i rikthehemi normalitet për sa i përket pranisë së publikut në stadiumet tona, për fillimin e La Ligës dhe ACB (liga e basketbollit)”, u shpreh zyrtarja e qeverisë spanjolle.

Edhe pse nuk e saktësoi menjëherë se si do të bëhet rikthimi i tifozëve në stadiume, sipas shtypit iberik bëhet fjalë për prani deri ne 75% të kapacitetit të impianteve në këto dy liga dhe ky është një lajm shumë pozitiv që do t’u jape oksigjen skuadrave elitare të futbollit dhe basketbollit spanjoll.

Për klubet e mëdha si Real Madrid, Barcelona, Atl. Madrid e Bilbao që kanë impiante të mëdha, rikthimi i tifozëve do të jetë jo vetëm një armë më shumë në mbështetje të skuadrës por do të shtojë edhe të ardhurat nga biletat e sponsorët që prej një viti kanë goditur rëndë klubet pothuajse në çdo kampionat të Europës.


Shtuar 24.06.2021 17:13