Samiti i Sofjes: Rama konfirmon pjesëmarrjen, Kosova dhe Serbia përfshihen në Tregun e Përbashkët Rajonal
Sot do të mbahet Samiti i Sofjes, i cili do të mbledhë krerët e Rajonit dhe drejtuesit e vendeve kryesore të BE-së, për të mbështetur rrugën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

I pari që ka mbërritur në kryeqytetin bullgar ka qenë kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili është pritur nga homologu vendas, Boyko Borissov. Lajmin e ka bërë të ditur vetë në mediat sociale Borissov:

“Mirëprita kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në Sofie, aty ku do të nisë Samiti për Procesin e Berlinit që këtë vit mbahet nga dy vendet”.

Mësohet se treshja që do të hapë zyrtarisht samitin që mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit është kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal Majlinda Bregu dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Në seancën plenare që nis në orën 11:25 dhe ku diskutohet Tregu i Përbashkët Rajonal do të flasin të gjithë krerët e delegacioneve, pjesë e procesit të Berlinit.

Sakaq po ashtu mësohet se do të mbajë fjalën e tij pas Presidentit francez Emanuel Macron dhe Presidenti të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Gjatë konferencës “online” dje me Presidentin serb dhe kryeministrin maqedonas, kryeministri Rama përshëndeti pjesëmarrjen në samitin e sotëm edhe të Kosovës. Vendimi më i rëndësishëm i këtij samiti është krijimi i Tregut të Përbashkët rajonal.

Mësohet se Tregu i Përbashkët Rajonal, do t’i bëjë bashkë Kosovën dhe Serbinë. Në këtë samit Kosova do të përfaqësohet nga Avdullah Hoti.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të njohur si ËB6 që përbëhet nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi janë pajtuar që të rrisin bashkëpunimin ekonomik duke themeluar Tregun e Përbashkët Rajonal.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një Plan të Veprimit si hap për të themeluar një Zonë Rajonale Ekonomike.

“Ne, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për të rritur bashkëpunimin ekonomik në rajon duke zhvilluar Tregun e Përbashkët Rajonal, bazuar në standardet dhe rregullat e Bashkimi Evropian për të rritur atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit për të sjellë rajonin më afër tregjeve të Bashkimit Evropian. Si një nga hapat drejt themelimit të ardhshëm të Tregut të Përbashkët Rajonal, ne miratuam sot në Sofje një Plan Veprimi bazuar në katër liritë dhe pasuruar me fushat e tregtisë, dixhitalit, investimeve, inovacionit dhe industrisë. Me një popullsi prej afro 18 milion njerëz, rajoni ynë është një treg i rëndësishëm për BE’në dhe një zonë tranziti për mallrat evropiane dhe ndërkombëtare, me një fuqi punëtore të aftë për kompanitë e gatshme për të investuar”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Po ashtu gjashtë vendet e BP’së kanë deklaruar se të gjitha shtetet duhet të jenë anëtare të BE’së.

“Ne jemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për ta parë ËB6 si anëtare të plota të Bashkimit Evropian dhe ta konsiderojmë Tregun e Përbashkët Rajonal një hap në atë drejtim”, thuhet në deklaratë.
Shtuar më 10/11/2020, ora 12:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori