Samiti i Lisbonës acaron marrëdhëniet Shkup-Athinë
Pëlqej
Lënia e Maqedonisë jashtë axhendës së samitit të NATO-s në Lisbonë, acaron edhe më tej marrëdhëniet mes Shkupit dhe Athinës.
Kryediplomati maqedonas, Antonio Milloshoski akuzon presidentin grek Karolos Papuljas për proklamim të qëndrimeve nacionaliste, një ditë pasi Papuljas ka deklaruar se pa zgjidhjen e çështjes së emrit, dyert e NATO-s dhe BE-së mbeten të mbyllura për Maqedoninë.

Gjithashtu, Milloshoski akuzoi Athinën se nuk është duke respektuar marrëveshjen dypalëshe të vitit 1995, me të cilën Greqia është zotuar se nuk do të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare.

“Vlerësoj se dialogu greko-maqedonas duhet të vazhdojë edhe pse nga pala greke dëgjojmë deklarata të ndryshme, të cilat shpeshherë i ngjajnë nacionalizmit demode. Do ta kisha pyetur presidentin grek Papuljas nëse ai është i njëjti person që në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme e nënshkroi marrëveshjen e përkohshme në vitin 1995”, deklaroi Milloshoski.

Për shkak të çështjes së pazgjidhur të emrit dhe kundërshtimit të Greqisë, Maqedonia humbi shansin më të mirë për anëtarësim në NATO, në samitin e Bukureshtit në vitin 2008. Por në samitin e Bukureshtit u vendos se Maqedonia mund të bëhet anëtare e NATO-s në momentin që do të zgjidhë çështjen e emrit, pa pasur nevojë të caktohet samit i posaçëm për zgjerim.
Shtuar më 19/11/2010, ora 12:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori