Sa më pakicë, aq më të larta rezultatet
Analiza e suksesit e nxënësit e që për fat të keq nuk merret shumë seriozisht nga ana e shkollave në kuptimin e sensibilizimit të disa prej konkluzioneve që mund të nxirren prej tyre, tregojnë se të qenit pakicë në një shkollë mund të jetë edhe favor për nxënësit. Pra, kur nxënësit e një etniteti të caktuar ose të paraleleve, sipas gjuhës në të cilën e zhvillojnë mësimin përbëjnë pakicën në atë shkollë, nuk duhet parë si diçka negative, por përkundrazi - si një përparësi për ta sa i takon suksesit të notave.

Kështu për shembull, në shkollën fillore “Liria” në Shkup, ku mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe, suksesi i nxënësve është dukshëm më i vogël se suksesi i nxënësve shqiptarë të shkollës fillore “Vasil Gllavinov” po në Shkup dhe ku shqiptarët janë pakicë, pasi numri i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe është dukshëm më i vogël se numri i paraleleve me mësim në gjuhën maqedonase. E njëjta ndodhë edhe me shkollat tjera në Maqedoni, ku mësimi zhvillohet në gjuhë të ndryshme. Në Tetovë, nëse krahasohet suksesi i notave të nxënësve shqiptarë dhe maqedonas në shkollat “Naim Frashëri”, “Istigball” dhe “Kirili dhe Metodi”, do të kemi të njëjtën pasqyrë sikurse ajo e Shkupit. Në dy shkollat e para dominojnë nxënësit shqiptarë, kurse në të tretën nxënësit maqedonas, mirëpo rezultatet e notave tregojnë se kur maqedonasit janë pakicë (sikurse është rasti me SHF ”Istigbal”) kanë një notë mesatare më të lartë se sa nota mesatare në SHF “Kirili dhe Metodi”, ndërsa nxënësit e paraleleve shqipe në “Kirili” rezulton të kenë notë mesatare më të mirë se sa nota mesatare në “Naim Frashëri” dhe “Istigbal”. Megjithatë, kjo situatë mund të jetë edhe një ‘mashtrim’ më i madh për njohuritë reale të nxënësve, pasi duke qenë ‘pakicë’, ata janë më pak të ekspozuar ndaj kontrollit dhe vëmendjes institucionale për punën që bëjnë. Sipas pedagogëve, shpjegimi i dukurive të këtilla është shumë kompleks dhe në asnjë rast suksesi i notave nuk duhet konsideruar si pasqyrë reale e dijeve dhe njohurive të nxënësve, me theks të veçantë suksesi i fundvitit kur notat e nxënësve fryhen në masë të madhe. Ndërkaq, sa i takon suksesit në kontestin e analizës “shumicë-pakicë”, sipas pedagogut Fadil Lushi, fryrja e notave ka edhe element plotësues. Konkretisht, arsimtarët - sidomos ata që punojnë me paralelet “pakicë”, kanë një prirje më të madhe për të fryrë notat se sa arsimtarët që punojnë në paralelet ‘shumic뒔, shpjegon ai. “Arsimtarët e kanë më të lehtë të fshehin paaftësinë e tyre duke i fryrë notat e nxënësve”, pohon Lushi. Konkretisht, plotëson më tej ai, një arsimtar maqedonas që punon në një shkollë me shumicë shqiptare, mund të duket se ka arritur suksese më të larta se arsimtari që punon në një shkollë me shumicë maqedonase. Mirëpo, nëse e marrim arsimtarin e parë dhe e dërgojë në shkollën e dytë, për nga suksesi do të jetë në fundin e listës, me siguri. E njëjta, vlen edhe për arsimtarin shqiptar, turk e kështu me radhë. Prandaj, sipas tij, nuk duhet të bazohemi aq shumë në analizat e suksesit të notave. Sipas Lushit, rezultate reale kemi në fillim të viti dhe deri në fund të gjysmë vjetorit të parë. “Pastaj, si të afron fundi i viti nga muaji mars deri në fund, notat nuk janë më reale, qoftë në arsimin fillor qoftë në arsimin e mesëm”. Lushi e pohon këtë, nisur nga përvoja e gjatë si pedagog, por edhe si këshilltar në Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Me kompetencën të plotë, thotë se po të vizitosh cilëndo shkollë në periudhën mars-prill, do të gjesh plot nxënës me tre-katër nota të dobëta, por rrallë ndonjë me sukses të shkëlqyer. Mirëpo, nëse do të kesh rastin të shkosh më 10 qershor në po të njëjtën shkollë, do shohësh ndryshime të mëdha. Nxënësit me nota të dobëta fitojnë sukses të mirë ose shumë të mirë, ndërsa ato që ishin me tresha dhe katra janë bërë të shkëlqyeshëm, plotëson më tjera ai. Nisur nga kjo Lushi nuk beson në suksesin e nxënësve në fund të vitit, për të cilin thotë se është produkt i fryrjes së notave. “Suksesi i nxënësve në fund të vitit shkollor nuk është real, në nivel shteti. Notim real kemi në ciklin e ulët të arsimit fillor, nga klasa e parë deri në të pestë. Pas kësaj, notat nuk janë reale, sidomos në fund të vitit shkollor”. Fryrja e notave është një fenomen të cilin nuk e mohon askush, e që është edhe si rezultat i presioneve që prodhon vetë sistemi arsimor. Një nxënës që ka përfunduar arsimin fillor me sukses të shkëlqyeshëm dhe që ka vetëm një katër nuk mund të konkurrojë të vazhdojë shkollimin e mesme në drejtimin mjekësi apo ekonomi. Logjika e njëjtë përsëritet edhe në arsimin universitar dhe për çka presionet për fryrjen e notave marrin një lloj legjitimiteti të pranueshëm nga të gjithë. Megjithatë me vendosjen sistemit të vlerësimit të punës së arsimtarëve, viteve të fundit është zbutur pak edhe masa e fryrjes së notave, pasi arsimtarët rrezikojnë të dënohen me 15 për qind të rrogës. Analizat e detajuara të suksesit të nxënësve për vitin shkollor 2011/2012 në nëntë shkollat fillore të Komunë së Çairit përveç tjerash të çojnë në konkluzione se kur nxënësit e një etniteti janë pakicë në një shkollë të caktua mbarojnë shkollën me notë mesatare më të lartë se nxënësit e të njëjtit etnitet të një shkolle tjetër ku ato janë shumicë. Rastësisht ose jo, ky konstatimi vlen si për shqiptarët, maqedonas dhe turqit njësoj. Konkretisht, nota mesatare e nxënësve maqedonase në shkollën “Imri Elezi” , ku janë pakicë është 4.92, kurse në “Vasal Gllavinov” ku janë shumicë kanë 3.27 notën mesatare. /L. Papraniku, koha/
Shtuar më 03/02/2013, ora 16:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori