Sa është përmbushur marrëveshja e Ohrit?!
Pëlqej
Marrëveshja e Ohrit e nënshkruar më 13 gusht 2001 shënoi fundin e kryengritjes së armatosur të UÇK-së kundër forcave policore maqedonase.

Kjo marrëveshje e nënshkruar pati si prioritet të saj rregullimin e raporteve etnike dhe përfaqësim e të drejta të plota për çdo etnitet që jeton në Republikën e Maqedonisë.

Korniza u firmos nga ish presidenti Boris Trajkovski, ish kryetari i VMRO DPMNE-së dhe ish kryeministri Lubço Georgievski, ish kryetari i PPD-së Imer Imeri, ish kryetari i PDSH-së Arbën Xhaferi dhe kryetari i atëhershëm i LSDM-së Branko Cërvenkovski.

Marrëveshja e Ohrit u ndërmjetësua nga përfaqësuesit e posaçëm të BE-së dhe SHBA-së Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju, të cilët bartin edhe rolin e garantuesit.

Çfarë nuk është arritur nga Marrëveshja e Ohrit

Marrëveshja duhej të ishte implementuar deri ne vitin 2004, por fakt është se dhe sot ka çështje të pazgjidhura.

Çështja më e rëndësishme e pazgjidhur mbetet statusi i ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Branitellat në anën tjetër, jo vetëm që patën ligj në 2002, por ai u tentua të amendohej edhe në 2012, duke lënë totalisht jashtë ish luftëtarët e UÇK-së, raporton Alsat-M.

Çështje të tjera mbeten ende të pazgjidhura; procesi i përfaqësimit është një ndër më të gjatët, dhe shumë poste drejtuese për shqiptarët mbeten ende të paprekshëm.

Nga ana tjetër, një çështje tepër jetike mbetet e pazgjidhur gjithashtu, ajo e pajisjes me dokumente dhe shtetësi.

Probleme të tjera për shqiptarët mbeten investimet në rajonet perëndimore dhe deri më sot, ideja e ndarjes së buxhetit është refuzuar.

Ngecja e problemeve përgjithësisht buron edhe nga mungesa e një pasqyre të qartë mbi regjistrimin e popullsisë.

Çfarë është arritur nga Marrëveshja e Ohrit

Por, ka disa tema për të cilat është gjetur zgjidhja.

Kështu, u zgjidh çështja e simboleve, të cilat pas vitit 2007 ishin abroguar nga Gjykata Kushtetuese.

U përkufizua çështja e përdorimit të gjuhës shqipe, edhe pse në kryeqytet, sot e kësaj dite, autoritetet e interpretojnë me dykuptimësi./albeu.com/

Shtuar më 13/08/2014, ora 16:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori