Rusia paralajmëron tensione në Maqedoni
Zyrtarë të Bashkimit Europian dhe Rusisë, kanë paralajmëruar një konflikt të mundshëm etnik dhe krizë gjeopolitike në Ballkan, pasi Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov bllokoi liderin e opozitës Zoran Zaev që të formonte një qeveri të mbështetur nga një maxhorancë parlamentare.

Presidenti Ivanov, që pritej t'i dorëzonte mandatin liderit të partisë së majtë LSDM, Zoran Zaev pas mbledhjes së firmave nga shumica e deputetëve të zgjedhur në dhjetor të vitit të kaluar, duke përfshirë edhe ligjvënësit etnikë shqiptarë, e mohoi këtë kërkesë duke akuzuar Zaevin për bashkëpunim në një plan shqiptar të mbështetur nga perëndimi, i cili sipas tij do të shkatërrojë vendin duke pranuar kërkesat e minoritetit më të madh.

Nga ana e tij Zaev, i cili u angazhua të ngrinte statusin e gjuhës shqipe si pjesë të marrëveshjes, e akuzoi Ivanovin për grusht shteti.

Në një konferencë për shtyp të premten Lideri i LSDM-së i cilësoi si "një lojë të rrezikshme" veprimet e presidentit Ivanov dhe kreut të VMRO-DPMNE Nikolla Gruevski.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini deklaroi në fillim të marsit gjatë vizitës së saj në Shkup, pas takimit me liderët e partive politike dhe Presidentin Ivanov, se i kishte kërkuar Presidentit të reflektonte për të ardhmen dhe të ndryshonte vendimin e tij.

"Ne duhet të shmangim që kjo krizë politike dhe institucionale të kthehet në një konflikt ndër-etnik, ose më keq, një konflikt gjeopolitik", deklaroi Mogherini nga Shkupi javën e kaluar.

Ndërkohë mediat maqedonase njoftojnë se Parlamenti Evropian do te anulojë votimin në seancën plenare të 14 marsit për Rezolutën për Republikën e Maqedonisë, nëse vendi nuk formon Qeverinë e re deri para seancës së PE-së.

Kapitulli i fundit në krizën politike të tensionuar në Maqedoni ka rikthyer frikën perëndimore se politikanët e vendit mund të nxisin tensione etnike për përfitime politike si dhe një konfrontim gjeopolitik me Rusinë, e cila ka dënuar përpjekjet e perëndimit në ndërmjetësim.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti në një intervistë për "Reuters" theksoi se kriza politikeMaqedoni mund të zgjasë edhe katër vite, deri në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas Ahmetit disa politikanë po e shfrytëzojnë krizën politikeMaqedoni për të nxitur konflikt ndër-etnik.

"Kjo është krizë politike dhe duhet të zgjidhet me mjete politike, nuk duhet të kthehet në një problem ndër-etnik me qëllim përfitimi nga ana e disa partive politike", u shpreh Kreu i BDI-së për "Reuters".

Kriza në Maqedoni ka theksuar edhe interesin në rritje të Rusisë për rajonin e Ballkanit të përbërë nga shtete që janë në faza të ndryshme të pranimit në BE dhe NATO.

Zyrtarët pranojnë se pasiguria rreth perspektivës së anëtarësimit në BE të disa vendeve rrezikojnë të krijojnë një mundësi për ndërhyrje politike nga Moska.

Ministria e Jashtme e Rusisë akuzoi vendet perëndimore se po ndërhyjnë në punët e brendshme të Maqedonisë duke ndihmuar një platformë shqiptare e cila mund të provokojë mosmarrëveshje territoriale në një rajon tashmë të ndarë.

"Ne besojmë se kjo linjë është jashtëzakonisht e rrezikshme e cila rrezikon shkatërrimin e shtetit maqedonas dhe mund të destabilizojë të gjithë Ballkanin", thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme ruse, përcjell "BW". /albeu.com/
Shtuar më 12/03/2017, ora 09:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori