Rusia ende vajton humbjen në Maqedoni
Pëlqej
Ministria e Jashtme e Rusisë vazhdoi me akuza të rënda rreth votimit, sipas saj, “joligjor dhe joetik” të nismës për ndryshime kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë. Siç dihet botërisht, Moska zyrtare ishte në mënyrë shumë aktive e angazhuar për votimin e këtyre ndryshimeve, në radhë të parë për shkak se me to Maqedonisë krejtësisht i hapet dera për anëtarësim në NATO.

Në komentin e dikasterit të jashtëm rus theksohet mes tjerash se votat e 8 deputetëve të opozitës u siguruan përmes korrupsionit, respektivisht sipas kanuneve të “Demokracisë bashkëkohore evropiane” dhe se procesin e udhëhoqi ambasadori i SHBA-ve, Xhes Bejli.

“Tetë votat, që ishin të nevojshme për shumicë të kualifikuar, u siguruan përmes shantazheve, kërcënimeve dhe mitës ndaj deputetëve të opozitës. Tre prej tyre, krejt rastësisht, pikërisht atë ditë u liruan nga paraburgimi; dy që janë nën hetim të Prokurorisë Speciale Publike iu premtua liria; ndërsa të tjerëve në këmbim të votës iu ofruan propozime financiare korruptive. Deputetët ishin të mbyllur nëpër zyra, iu morën telefonat celularë, siç shihet në frymë të praktikës evropiane demokratike. Vlen të theksohet se ambasadori i SHBA-ve ndodhej në ndërtesën e Kuvendit deri në fund të seancës, gjë që nuk le dyshime se kush ishte udhëheqësi i vërtetë i procesit” theksojnë nga Ministria e Jashtme e Rusisë.

Sipas Moskës, deputetët të manipuluar shkelën në mënyrë vulgare vullnetin e 2/3 të qytetarëve, që nuk e mbështetën Marrëveshjen e Prespës në referendumin e 30 shtatorit. Ndërkohë që sipas saj, zgjidhja mes Shkupit dhe Athinës duhet të ketë bazë juridike, mbështetje të gjerë popullore dhe jo të krijojë ndarje në shoqëri.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë këto akuza i cilëson si të pabaza, të pavërteta dhe tendencioze.

Ministria e Punëve të Jashtme pretendimet në koment i konsideron si krejtësisht të pabaza dhe të pavërteta, të shprehura me një tendencë të qartë që të komprometohet procesi politik i një rëndësisë historike për Maqedoninë dhe për të gjithë qytetarët e saj. Deputetët në Kuvend, duke respektuar plotësisht të gjitha parimet demokratike dhe në procedurë të parashikuar parlamentare, sollën vendim që reflekton angazhimin disa-dekadash të RM-së për anëtarësim në NATO dhe BE, si prioritete strategjike për të cilat ekziston konsensusi më i gjerë i mundshëm dhe që njihet mirë edhe nga miqtë tanë rusë”, theksojnë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë

Në reagimin e Ministrisë së Jashtme thuhet po ashtu se derisa vendi mbetet i përkushtuar në integrimin euro-atlantik do të angazhohet për zhvillimin e marrëdhënieve me Rusinë, në bazë të miqësisë tradicionale, respektit të ndërsjellë të së drejtës për zgjedhje të lirë të së ardhmes.

Ky nuk është reagimi i parë i këtillë i Moskës. Së fundmi ambasadori rus në BE, Vlladimir Çizhov u shpreh kundër zgjerimit të NATO-s në Ballkan, duke i ofruar vendit si alternativë Unionin Ekonomik Euroaziatik.


Shtuar më 23/10/2018, ora 16:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori