Rufi Osmani uron Presidentin Bujar Nishani
Me rastin e zgjedhjes së Bujar Nishanit si President të Republikës së Shqipërisë, kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani i dërgoi atij një telegram urimi në të cilin thuhet:

"Shqiptarët në Maqedoni, pa përjashtim, kanë ndjekur me kënaqësi votimin e mbrëmshëm në Parlamentin shqiptar dhe zgjedhjen Tuaj President i Republikës së Shqipërisë.

Zgjedhja Juaj në postin e Presidentit të Republikës konfirmon zhvillimin demokratik dhe stabilitetin institucional në shtetin shqiptar, duke respektuar kushtetutën e tij. Kjo zgjedhje njëherazi është dëshmi e përcaktimit të qartë euro-atlantik të shqiptarëve, duke caktuar në krye të institucioneve të tyre njerëz të dëshmuar për vlerat e tyre perëndimore.

Rilindja Demokratike Kombëtare, si forcë politike e angazhuar për përmirësimin e pozitës së vështirë të shqiptarëve në Maqedoni, beson thellësisht se zgjedhja Juaj në këtë post do t’i kontribuojë zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë, stabilitetit rajonal dhe shtimit të interesimit të ligjshëm të shtetit shqiptar për të gjithë shqiptarët, si pjesë e detyrimeve të tij, të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Së këndejmi, në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin tim personal, më lejoni të Ju shpreh urimet më të sinqerta për zgjedhjen Tuaj në krye të shtetit shqiptar, duke Ju dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme për prosperimin e kombit shqiptar, pjesë e rëndësishme dhe e pandarë e të cilit janë edhe shqiptarët në Maqedoni". /albeu.com/

Shtuar më 12/06/2012, ora 15:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori