Rritja e sigurisë, Kurz vizitë në Kosovë e Maqedoni
Vizita treditore e Ministrit të Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastjan Kurz, në Kosovë e Maqedoni, javën e ardhshme pritet të ketë në fokus të bisedimeve rritjen e sigurisë. Siç raportohet nga mediat austriake, Kurz do ta shfrytëzojë këtë vizitë për të diskutuar me përfaqësues shtetërorë dhe ata fetarë lidhur me “rrezikun nga xhihadistët dhe radikalizmi në Ballkanin Perëndimor”.

Gjatë vizitës në Prishtinë ditën e hënën, Kurz do të ketë takim me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, ministrin e Brendshëm, Skënder Hyseni, si dhe me përfaqësues të bashkësive fetare në vend.

Së bashku me presidenten Jahjaga, ministri i jashtëm austriak do të marrin pjesë në hapjen e një ekspozite në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Një ditë më pas, ministri i Jashtëm austriak do të takohet me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçin si dhe me kryeministrin Isa Mustafa.

Pas këtyre takimeve, Kurz do të udhëtojë për në Maqedoni kur do të takohet me shefin e diplomacisë së këtij shteti, Nikola Poposkin dhe kryeministrin Nikola Gruevski, si dhe me përfaqësues opozitarë. Kurz do të takohet me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetin. /albeu.com/
Shtuar më 18/01/2015, ora 09:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori