Rritet numri i ankesave drejt Gjykatës së Strasburgut
Pëlqej
Numri më i madh i ankesave të qytetarëve të Maqedonisë në Gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg ka të bëjë me procedurat e stërzgjatura nga gjyqësori në Maqedoni. Ky konstatim është nxjerrë nga konferenca që po mbahet sot në Shkup lidhur me parimet e e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut.

Sipas gjykatëses në Gjykatën e Strasburgut, Mirjana Lazarova-Trajkovska në këtë gjykatë janë pranuar prej 350 deri në 400 ankesa të reja të qytetarëve kundër Republikës së Maqedonisë. Nga viti 2006 ka pasur rritje graduale të numrit të ankesave të shtetasve të Maqedonisë në këtë gjykatë evropiane, edhe atë për çdo vit numri i lëndëve të reja është rritur për 15 deri në 16 për qind.

“Në vitin 2009 janë miratuar 21 vendime gjyqësore, me ç`rast numri më i madh i shkeljeve të shtetit ka të bëjë me stërzgjaten e procedurave gjyqësore që kanë të bëjnë me qytetarët”, theksoi Lazarova-Trajkovska.

Zëvendës-kryetari i Gjykatës Supreme, Safet Aliu theksoi se Maqedonia si nënshkruese e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut përkushtohet për zbatimin efikas dhe krijimin e kushteve për qasje drejt praktikave të Gjykatës së Strasburgut, për edukimin e gjykatësve si dhe për qasje në bazën e të dhënave të Gjykatës Evropiane.

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se numri më i madh i dënimeve që paguan Republika e Maqedonisë pas shqiptimit të drejtësisë nga Gjykata e Strasburgut ka të bëjë me zgjatjen e tepruar të procedurave gjyqësore. Kjo sipas vlerësimeve të ekspertëve ka të bëjë me një problem sistematik dhe joefikas të funksionimit të gjyqësorit.

Konferenca po ndiqet edhe nga përfaqësues të Delegacionit të Komisionit Evropian, OSBE, Këshilli i Evropës si dhe programi OPDAT i ambasadës amerikane.
Shtuar më 26/11/2010, ora 16:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori