Ish-shefi i CIA-s:Putini e ka bërë NATO-n sërish të madhe, Plan Marshall për rindërtimin e Ukrainës

Nga Andrea Muratore “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pas një viti lufte në Ukrainë, NATO është më e fortë dhe më e bashkuar. Kështu shprehet gjenerali amerikan David Petraeus, komandant i Forcave Shumëkombëshe në Irak, Afganistan, ndërsa në vitet 2011-2012 ai ishte drejtori CIA-s. Petraeus beson në fitoren e Ukrainës në këtë luftë, dhe humbja do ta detyrojë Rusinë që të ulet në tryezën e negociatave.

Si e ndryshoi lufta në Ukrainë mjedisin strategjik në Evropë?

Ndërsa Vladimir Putin u përpoq “ta bënte Rusinë sërish të madhe”, ajo që në fakt ka bërë është ta bëjë sërish të madhe NATO-n. Duke shtyrë, dy vende që historikisht kanë qenë neutrale (dhe shumë të afta) që të kërkojnë anëtarësimin në NATO; duke promovuar një nivel uniteti në aleancë që nuk ishte parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Ndërkaq ka nxitur rritjen e buxheteve të mbrojtjes në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Sidomos Gjermaninë që tani është e përkushtuar ndaj direktivës së NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së për mbrojtje, nga nën 1.5 për qind më herët. Por lufta e tij solli edhe zgjerimin e forcave ushtarake në shtetet baltike dhe në Evropën Lindore; teksa e ka reduktuar në mënyrë drastike aftësinë ushtarake të Rusisë, sepse forcat ruse kanë pësuar shumë humbje në njerëz dhe armatime e municione.

A mund të themi se Perëndimi është më i bashkuar një vit pas fillimit të luftës?

Absolutisht po, pavarësisht hezitimeve të herëpashershme për furnizimin e Ukrainë me disa lloje armësh. NATO dhe vendet e tjera perëndimore nuk kanë qenë kaq të bashkuara që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Cili ka qenë roli i armëve perëndimore dhe mbështetja e inteligjencës në përforcimin e rezistencës ukrainase?

Absolutisht shumë jetik. Ukraina ka bërë një punë vërtet të jashtëzakonshme duke e mobilizuar të gjithë popullin për të luftuar atë që ukrainasit e shohin si luftën e tyre për pavarësi. Ata janë treguar shumë më të aftë se Rusia në rekrutimin, trajnimin, pajisjen, organizimin dhe vendosjen e forcave dhe aftësive shtesë.

Por kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e madhe nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore. Vetëm SHBA-ja e ka furnizuar deri më tani me më shumë se 27 miliardë dollarë në armë, municione dhe materiale për ushtrinë ukrainase nga shkurtit i vitit të kaluar, dhe 2 miliardë dollarë të tjerë që dërgohen shumë shpejt. Sistemet e armëve të ofruara janë gjithnjë e më efektive, po ashtu edhe të dhënat e shërbimeve sekrete.

Çfarë gabimesh ka bërë ushtria ruse?

Një numër të jashtëzakonshëm gabimesh, nga projektimi i dobët i fushatës ushtarake fillestare, te mbivlerësimi i aftësive ruse, tek nënvlerësimi i plotë i aftësive të ushtrisë dhe popullit ukrainas, deri tek mungesa e vlerësimit të mbështetjes perëndimore për Ukrainën. Kësaj i duhet shtuar logjistika e pamjaftueshme, mungesa e theksuar e disiplinës dhe udhëheqja e dobët.

A është e mundur një fitoreje e Ukrainës?

Po, edhe pse përgjigja për këtë pyetje varet padyshim nga mënyra se si e përkufizoni “fitoren”. Po ashtu varet nga një sërë faktorësh, sidomos nga vazhdimi i mbështetjes së fortë perëndimore dhe i ndihmës ekonomike për Ukrainën, dhe shtrëngimi i mëtejshëm i sanksioneve dhe kontrolleve të eksporteve ndaj Rusisë.

Tek e fundit, unë besoj se lufta do të përfundojë me një zgjidhje të negociuar, kur Rusia të kuptojë se konflikti është i paqëndrueshëm në fushën e betejës (Rusia ka humbur tashmë 8 herë më shumë ushtarë sesa Bashkimi Sovjetik në pothuajse 10 vite luftë në Afganistan) por edhe gjithashtu në frontin e brendshëm, duke pasur parasysh sanksionet gjithnjë e më të rënda dhe kontrollet e eksporteve. Dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta shpejtuar atë ditë dhe gjithashtu të jemi gati me një Plan Marshall për të ndihmuar rindërtimin e Ukrainës.

Në nivel global, SHBA-ja po përballet me ekspansionizmin e Rusisë në Evropë dhe ambiciet e Kinës në Lindjen e Largët. Cila do të jetë çështja më e rëndësishme për Uashingtonin në vitet e ardhshme?

Unë mendoj se s’ka asnjë dyshim se përballja më e rëndësishme në botë është midis Shteteve

të Bashkuara – së bashku me aleatët dhe partnerët tanë – dhe Kinës. Këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit Biden, Jake Sullivan, e përshkroi marrëdhënien tonë me Kinën si një “konkurrencë të fortë”. Dhe të gjithë ne duhet të punojmë së bashku për të garantuar që kjo konkurrencë të mos kthehet në konflikt. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 28.02.2023 15:37

Tags: