Rreth Iliridës
Pëlqej
Xhemal Ahmeti

Një ndodhi e moçme që i shkon situatës: Në fund të tetëdhjetave pas tentativave të shumta për ta organizuar një demonstratë kundër „paraleleve të përziera“, pra në mbrojtje të shkollës dhe gjuhës shqipe e vendosëm që demonstratën ta bëjmë në një ditë pazari.

Të enjten. Kur u mbush sheshi plotë unë bashkë me disa shokë u ngjitëm në kulm të shtëpisë së mallrave në Tetovë dhe me sa zë që kisha lexova kumtesën dhe shpalla Tetovën qytet të Shqipërisë së Enver Hoxhës.

E ndezëm miletin dhe ca qindra përfunduan në burg. Unë ika së pari në Prishtinë, në qebaptoren e një mësuesit tim dhe më vonë u strehova në Gjakovë. Disa muaj më vonë më zunë, gjykuan, dënuan dhe burgosën.

Tetova edhe sot e kësaj dite nuk është qytet i Shqipërisë.
Nevazt Halili që donë ta shpallë „Republikën e Iliridës“ atëherë ishte profesor gjimnazi dhe nuk ishte me ne. Po as kundër nesh. Pas rënies së sistemit u bë kryetar i PPD që më vonë „ia vodhën“ me mjeshtri Arbër Xhaferi dhe Menduh Thaçi.

Që nga ajo kohë njeriu ka mbetur si duket i lënduar. Me të drejtë. Po tash? Cili është koncepti i Iliridës? Kush qëndron pas tij? Bazat jo sepse partitë kryesore nuk janë me të. As organizatat tjera të mëdha civile. Edhe unë po desha saora e gjej nga një mik të disa katundeve, qyteteve dhe i quaj delegues; po kush i delegoi ata? Askush.

Pra aksioni nuk mund të jetë demokratik. Çka do të ndodhë, si ne viteve të tetëdhjeta! Edhe më keq. Ne donim gjithë viset shqiptare këta i kanë bërë vijat kot fare. Pastaj Maqedonia mund të reagoi në mënyrën më të ashpër sepse do të thotë se mbron kompaktësinë dhe shtetin e saj me kushtetutë.

Edhe për më shumë kur të huajt nuk mund t’i thonë se bëhet për shumicën e dytë, por për një grup njerëzish që nuk kanë mandatin e nevojshëm. Po ndodhën viktimat do të jenë mish për topa. Po disa më thonë duhet qoftë edhe simbolikisht.

Dakord, mirëpo nuk e keni përkrahjen e askujt sepse askush nga jashtë e brenda nuk dinë gjë. Kush u njoftua, kush e përkrah dhe çka pas shuarjes së mbledhjes dhe burgosjeve. Asgjë. Përveç se morëm vesh se doni ta bëni Iliridën. Po këtë e dimë qëmoti se shumica e donë një zgjedhje, ama jo shkel e shko! Punë pa lidhje./albeu.com/
Shtuar më 18/09/2014, ora 15:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori