Rreth 200 foshnja pa familje, nisi fushata "secilit fëmijë i duhet familje"
“Secilit fëmijë i duhet familje”, kështu u emërua fushata e cila filloi sot me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, nga ana e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe UNICEF.
Kjo fushatë ka për qëllim të nxisë qytetarët të kujdesen për fëmijët pa prindër, që të mund të rriten në një rreth të sigurt familjar dhe me dashuri. Po ashtu siç bëri të ditur ministrja Milla Carovska, qëllimi tjetër i fushatës është edhe mobilizimi i mbështetjes për të gjetur zgjidhje për kujdes në rreth familjar në nivel komunal, përballë kujdesit institucional.

Milla Carovska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale

“Kjo është fushata më humane që është duke ndodhur në vendin tonë sepse jep mundësi për të diskutuar lidhur me atë se secila familje e cila ka potencial dhe mundësi për t’u kujdesur për fëmijë, që tani kujdesen në ndonjë institucion ose shtëpi kujdesi të vogël ose shkollë, prindët e të cilëve nuk kanë kapacitet dhe mundësi që të kujdesen për ta, vërtetë kjo jep efekt të dyfishtë. Njërit fëmijë i jepet më shumë dashuri, por kujdes duhet të ju kushtohet çdonjërit prej tyre”.

Përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Perks, tha se me fushatën dëshirojnë të ndihmojnë që të mobilizohet një numër i madh i familjeve përkujdesëse, të cilat kanë dashuri për t’iu ofruar fëmijëve të cilët për momentin janë të vendosur në institucione.

Benxhamin Perks, përfaqësues i UNICEF

“Ajo që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është duke bërë dhe ne po e mbështesim është reforma në sistem dhe në këtë mënyrë do të sigurohet interes më i madh për secilin fëmijë. Por, mendoj se gjithashtu përvoja e deritanishme e familjeve përkujdesëse duhet të vazhdoj sepse është shumë e rëndësishme që të njejtët prind pastaj të bëhen prind kujdestar”

Ai theksoi se në dy muajt në vijim do të organizohen ditë të hapura në 30 qytete përmes qendrave për punë sociale dhe SOS Fshatit të fëmijëve, që qytetarëve në mbarë vendin t’u jepet mundësia të dinë më shumë dhe të bëhen familje kujdestare. Tani për tani, mbi 200 fëmijë, bebe deri tre vjeç, fëmijë me nevoja të veçanta dhe fëmijë të ndarë nga prindërit për shkak të keqtrajtimit dhe dhunës, janë nën kujdesjen e institucioneve të vendit.
Shtuar më 01/06/2018, ora 19:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori