Rrëshqet nga shkallët e shkollës, humb jetën 12-vjeçari
Një nxënës 12 vjeçar ka humbur jetën sot, pas rrëzimit nga kati i dytë në shkollën fillore ‘Darvish Cara’ në fshatin Pallçishtë e Poshtme të Komunës së Bogovinës. Djali me emrin Husamedin Misimi rrëshqiti nga mbrojtëset prej hekuri të shkallëve, rreth orës 7 të mëngjesit. Sipas informacioneve të para, shkaktar i vdekjes së tij ishin plagët e rënda të marra në kokë.

”Para se të fillojë mësimi, diku kah ora 7 e 20 minuta, duke luajtur mbi parmakët e katit të dytë, i kanë rrëshqitur duart dhe është rrëzuar drejt e në shkallë. Unë nuk e kam parë nëse ka rënë me kokë ose jo, por me siguri se ka rënë keq në kokë dhe ka qenë i alivanosur. Arsimtarët e kanë marrë menjëherë dhe e kanë dërguar në spital dhe pasi e kanë dorëzuar atje për një kohë të shkurtër mjekët raportuan se për fat të keq ai ka ndërruar jetë”, tha për Alsat-TV Sali Emini, drejtor i shkollës.

Menjëherë pas ngjarjes tragjike, vendin e kanë vizituar edhe zëvendëskryeministri Abdylhaqim Ademi dhe Ministri i Arsimit, Nikolla Todorov.
"Kjo është ngjarje shumë tragjike, katastrofë në përgjithësi, për mua dhe për të gjithë arsimin, por e pakufi është dhimbja e prindërve, arsimtarëve dhe shokëve të tij. Me të vërtetë në kësi lloj ngjarjesh të rënda e kam shumë vështirë të gjej fjalë të cilat do të mund të ngushëllojnë ata që sot kanë humbur birin e tyre.’, tha ministri Todorov.
Shtuar më 17/09/2010, ora 16:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori