Rrahje e deputetëve shqiptar për inatet e Njerkës në Maqedoni
Pëlqej
nga Arben Llalla

Opinioni në Maqedoni tashmë është dëshmitarë të rrahjeve të politikanëve shqiptarë midis tyre. Nuk është hera e parë që shqiptari vret apo rreh shqiptarin në sy të botës për interesat e huaja.

Ky zakon tashmë është bërë pjesë e kulturës fatkeqe të shqiptarëve që vjen nga thellësia e historisë sonë kombëtare, që i ka rrënjët në vetëdije dhe në nënvetëdije, në mentalitet dhe dëshirat e shqiptarit për pushtet.

Ky zakon lindi qëkur lindi BESA e shqiptarit dhe PABESIA e shqiptarit.

Partitë politike shqiptareMaqedoni duhet të jenë të kujdesshme kur thirren në emër të patriotizmit, kur rrihen në emër të shqiptarisë, opinioni i gjerë shqiptar e dinë fare mirë se në të vërtetë ata rrihen e çirren nga etjen për pushtet, etjen për të mbrojtur interesat e huaj.

Politikanët shqiptar duhet ta dinë se askush nuk e ka ekskluzivitetin të çirret, të rrahin vëllanë e tij në emër të mbrojtjes së çështjes kombëtare.

Tashmë populli shqiptarMaqedoni ka vërtetuar se nuk ka më parti politike që mbron në të vërtetë çështjen e kulturës, arsimit kombëtar, por kemi politikanë që mbrojnë interesat e tyre për pushtet dhe interesat e huaj.

Çdo ish-ushtar i UÇK asnjëherë nuk ka dashur të ngrejë dorë kundër vëllait të tij shqiptar për interesat e huaja.

Meqenëse historia shkruhet dhe regjistrohet në mendjen e popullit çdo tentativë dashakeqëse që bëhet në emër të shqiptarisë do ti humbi shpejtë vlerat e saja.

Shqiptarët në Maqedoni janë të vetëdijshëm që asnjë parti politike e dalë nga gjiri i saj nuk mund ti mbrojnë më interesat kombëtare me rrahje dhe vrasje midis shqiptarëve.

Shqiptarët që lanë kostumin e luftës dhe tashmë kanë veshur kostumin e politikës duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk i kanë më ato vlera të 2001, sepse kur hynë në profesionin e politikës duhet të jesh i kujdesshëm sepse kur gabojnë njerëzit që thirren në vlerat e luftës gabimet janë shumëfishë më të rënda dhe faji është shumë më i madh.

Unë jam i vetëdijshëm se pas çdo shkrimi kritik shkoj në shtigje me rreziqe të mëdha, por i kam marrë parasysh të gjitha dhe gjënë më të keqe...!

E ndjeva detyrë morale si shqiptar, publicist, historian për ti thënë dy rreshta në lidhje për ngjarjet e fundit të shëmtuara që ndodhën midis politikanëve shqiptarë në Maqedoni.

Ngjarje që nuk duhet të ndodhin në të ardhme midis nesh, por përkundrazi duhet të bëhen mësim dhe tu shtrijmë dorën njëri-tjetrit për pajtim sepse nuk është turp, por Turp është të kemi Turp. /albeu.com/
Shtuar më 26/08/2014, ora 15:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori