Rompuy: BE-ja do t’i pranojë krahëhapur vendet që janë reformuar
Presidenti i parë i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, në një intervistë për portalin "European Western Balkans" ka thënë se shtetet që pretendojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, para së gjithash reformat duhet t’i realizojnë për vetë qytetarët pasi kjo do ju sjellë qeverisje më të mirë të vendit dhe zbatim të rregulloreve demokratike.

"Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përqëndrohen në rrugën e tyre dhe përparimin e tyre si shoqëri. Është përsëritur me të drejtë nga shumë liderë se reformat e ndërmarra nuk duhet të përfshihen vetëm për të lehtësuar rrugën drejt pranimit në BE, por edhe për meritat e tyre. Reformat e kërkuara nga BE duhet të zbatohen para së gjithash për hir të atyre, qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, të cilët do të përfitojnë nga një qeverisje më e mirë, dhe zbatimin e saktë të rregullave dhe rregulloreve demokratike. Procesi i integrimit në BE nuk është vetëm sa për sy e faqe, por është një transformim gjithëpërfshirës i shoqërisë vendase që në thelb do të sjellë dobi për ata. Kur ky proces të implementohet dhe të përfundojë, me bindje të plotë, ju siguroj, ju do të pranoheni në familjen e BE me krahë të hapur", ka thënë Rompuy.

Dje, Mbledhja ministrore e BE-së ka përfunduar pa vendim për dhënie ose jo të datës për nisjen e negociatave. Për këtë, do të vendosin liderët e BE-së në takimin që do të mbahet më 17 dhe 18 tetor. Për epilogun e mbledhjes së djeshme, të revoltuar janë shprehur eurokomesari për Zgjerim në largim, Johanes Han dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Shtuar më 16/10/2019, ora 16:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori