Rikthehet aleanca VMRO -PDSH?!
Pas asaj që ndodhi në debatin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ku VMRO-DPMNE-ja dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) vendosën për raund të dytë zgjedhor në Komunën e Çairit, reaguan partitë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe PDSH-ja.

Nga partia e Ahmetit akuzuan se partinë e Thaçi se ka ngjallur aleancën e vjetër me VMRO-DPMNE-në duke e quajtur vendimin e KSHZ-së politik. Nga PDSH-ja akuzuan se procesi zgjedhor është karakterizuar me shumë parregullsi dhe falsifikime. Nga ana tjetër ekspertët politik thonë se Gruevski dëshiron t’i hakmerret BDI-së për humbjen në Kërçovë ndërsa e quajnë të gabueshëm veprimin e PDSH-së.

Sipas tyre, duket qartë se opozita si ajo shqiptare ashtu edhe ajo maqedonase e kanë humbur busullën, për shkak të disfatës së rëndë që pësuan në zgjedhjet lokale. Megjithatë për rivotim në Çair fjalën e fundit do ta ketë Gjykata Administrative, e cila duhet të sjellë vendime edhe për shumë ankesa në komuna tjera të vendit.

Analisti politik Alajdin Demiri, thotë se këto veprime pak sa janë të çuditshme për arsye se hapin dilemat e një kooperimi të ri mes opozitës dhe pozitës. Sipas tij, hyrja në balotazh në disa vende siç është rasti i Shkupit edhe njëherë e hap dilemën se si vepron KSHZ dhe a bën lojë të demokracisë, gjegjësisht demokratizimit të Maqedonisë.

“Opozita në këtë rast, gjegjësisht në këto zgjedhje është duke e humbur komplet busullën, që do të thotë se në të ardhmen Maqedonia do të ngelet pa opozitë. Kjo është një hyrje në një aventurë të re dhe kthim ka një diktaturë e re e VMRO-DPMNE-së. Edhe pse bëhen këto kombinime, edhe pse këto veprime e hapin rrugën kinse të demokratizimit, rezultatet paraprakisht dihen dhe janë të njohura.

Pra, këto janë orvatje që në një njërën mënyrë ose tjetrën të thuhet se ka demokraci se veprohet në të vërtetë aty ka gjasat janë minimale”, deklaroi për “Zhurnal plus”, analisti politik Alajdin Demiri.

Ndërkohë, analisti Arsim Sinani vlerëson se PDSH-ja nuk mund t’ia merr fitoren BDI-së me intriga në KSHZ. Ai thekson se nëse Izet Mexhiti fiton bindshëm në Shkup dhe këta ia marrin fitoren, ajo tregon se Gruevski dëshiron t’i hakmerret Mexhitit. /albeu.com/
Shtuar më 01/04/2013, ora 13:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori