Veliaj me fermerët në Kavajë: “Ne i çojmë punët vetëm përpara me punë dhe mund; Ata i përdorin njerëzit si ‘mish për top’”

 

Drejtuesi politik i PS per qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, pari sot një takim me fermerët në Kavajë. Veliaj tha se një fermer punon vetëm për të ecur përpara dhe jo mbrapa.

“Po mendoja për sloganin tonë, teksa po binte shi, dhe thashë: Shyqyr zotit, gjithë ky bereqet, edhe për ne që merremi me Ujësjellësin, si une, Redi apo Edisoni, që duam të mbushen rezervuarët, por edhe për ata që kanë produkte. Ndërkohë, për ata që janë rritur në ish Bllok dhe kanë qenë me Partinë e Punës që në vakt, sigurisht që shiu i shkrin, se ata janë prej sheqeri. Ndaj edhe ata nuk bëjnë fushatë në ditë me shi, dhe nja dhjetë ditë nuk kemi për t’i parë se do jetë bereqet. Isha duke menduar për punën që bën një bujk: Keni parë traktor që e lëron tokën mbrapsht? Keni parë ndonjë që e përdor shatin mbrapsht? A keni parë njeri që e vjel frutin mbrapsht? Çdo proces, edhe proceset tona jetike, edhe mënyra si ecim, edhe mënyra si i japim zetorit, edhe mënyra si prashisim, edhe mënyra si vadisim, është vetëm duke ecur përpara”, tha Veliaj.

Ndërsa, ai shtoi se pala kundërshtare i sheh qytetet dhe njerëzit që jetojnë në to si “mish për top”, për t’i përdorur që të mbushin autobusët dhe t’i nxjerrin nëpër protesta.

“E kam dëgjuar edhe palën tjetër që thotë po të na jepni bashkinë e Rrogozhinës dhe Kavajës, ne që ditën e hënë do mbushin autobusët për të shkuar në Tiranë të rrëzojmë Fridën dhe Edi Ramën. Ku është logjika këtu? Çfarë do me thënë me e pas bashkinë si kontingjent për protesta ne Tiranë? Pse pa punë janë njerëzit? Këta mendojnë që janë akoma njerëzit në 92-93-in, që janë komplet pa punë dhe bëjnë xhiro me autobus për në Tiranë. Kryetari i bashkisë së Tiranës e ka ndjerë shumë këtë punë. Mbaronte një grup protestën dhe thoshte tani do protestojmë te këndi i lojërave kundër Lalit. Sot e kishte Rrogozhina, nesër do mbushin autobusët e Kavajës. Dhe vinin njerëzit e shkretë, se kryetarët e bashkive ishin vetëm për të mbushur autobusët dhe për t’i sjellë në Tiranë. Filluan punën te sheshi. Sot e kishte Shkodra. Nesër do vijnë ata të Kavajës. Ç’punë kanë ata te sheshi Skënderbej? Pse pak punë ka për të bërë në Kavajë? Pastaj filluan te Pazari i ri. Sot e ka Librazhdi, nesër e kanë ata të Kavajës. Gjithmonë, duke e parë Kavajën, duke i parë qytetet, si një mënyrë për të mbushur autobusët dhe për t’i çuar si mish për top”, u shpreh Veliaj.


Shtuar 3.05.2023 18:21