Republika e Maqedonisë dhe BE-ja
Me miratimin e rekomandimeve përfundimtare, sot do të rrumbullakohet mbledhja dyditore e Komitetit të përzier parlamentar - Republika e Maqedonisë dhe BE-ja.

Brenda këtij viti, Republika e Maqedonisë pritet të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Problemet bilaterale nuk duhet t'i mbajnë peng proceset integruese të Maqedonisë.

Ky është mesazhi të cilin e dërguan në fjalimet e djeshme zëvendëskryeministrja për Çështje Evropiane, Teuta Arifi, shefi i diplomacisë Nikola Poposki, bashkëkryesuesi Qenan Hasipi dhe Andrej Petrov, shkruan Telegrafi.

Arifi ka potencuar se marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim është prioritet strategjik për Maqedoninë. Ndërsa ministri Poposki vlerëson se me vendimin e marrjes së datës për negociata do të fitohet nxitje e rëndësishme për vazhdimin e negociatave.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë shprehu bindjen se Maqedonia është e gatshme të hyjë në negociata, ndërsa optimizmin e bazon në vullnetin e fuqishëm politik dhe vendosmërinë.

Edhe Hasipi kërkoi në mënyrë aktive dhe konstruktive të dyja palët të kontribuojnë në kuadër të KB-së që të gjendet zgjidhje e pranueshme e cila nuk do të ndërhyjë në identitetin kombëtar, kulturor dhe gjuhësor të vendit.

Në takim janë dërguar edhe vërejtje lidhur me mospërdorimin e gjuhës maqedonase në raportin e KE-së për progresin e vendit. Deputeti Petrov shfaqi shpresën se ky problem do të tejkalohet.

“Nëse kjo është formë e presionit”, transmeton MIA, “atëherë është gabim pasi që depërton thellë te populli maqedonas”.

Bashkëkryesuesi Jorgo Shacimarkakis njoftoi se në takimin me kryeministrin Nikolla Gruevski anëtarët e Komitetit janë njoftuar për aspektet e reja dhe reformat të cilat do të vendosen në nivel administrativ.

Robert Lidel,u.d. shef i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë, theksoi se BE-ja do të ndihmojë në proces përmes dialogut dhe bashkëpunimit financiar.
Shtuar më 04/11/2011, ora 13:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori