Renzi thotë "BE s'mundet pa Ballkanin", por s'përmend Maqedoninë
Kryeministri italian Matteo Renzi ka vlerësuar rëndësinë e Ballkanit për BE gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Europian, por ka anashkaluar Maqëdoninë. Në përfundim të presidencës italiane të Bashkimit Europian, Renzi ka theksuar rëndësinë e vijimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit. Kryeministri italian në fjalën e tij tha se BE nuk mund të jetë e plotë pa Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi, por nuk përmendi Maqedoninë.

“Sot tregojmë se Europa është gati të ndryshojë. Me ndryshimin duhet të kthejmë sytë nga politika e zgjerimit. Politika e re do të thotë vëmendjen ndaj Ballkanit dhe zgjerimit të BE.

Në Europë, nuk mund të bëjmë pa Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe nuk mund të lejojmë që ky diskutim të diktohet nga frika. Sot Europa është vendi i vërtetë i sfidës së të nesërmes Do punojmë për Europën e popullit dhe jo burokracisë”, u shpreh kryeministri i Italisë, Matteo Renzi.

Një rast tjeter i ngjashëm, ku Maqedonia nuk përmendet nga zyrtarët europianë kur bëhet fjalë për zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit, është edhe ai Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim Johanes Han. Gjatë turit të tij të parë në rajon kohë më parë, Han e kishte lënë Maqedoninë jashtë axhendës së tij. /albeu.com/
Shtuar më 13/01/2015, ora 17:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori