Daja zbulon premtimin e presidentit Demi: Skënderbeu im, asnjë ndeshje të trukuar

Ilir Daja ka nisur një cikël të ri si trajner. Nëse i referohemi kryeqytetit, tashmë mund ta konsiderojë të plotësuar ciklin profesional, sepse ka drejtuar Tiranën, Dinamon dhe tashmë Partizanin. Ama, kampion ka dalë edhe në fillimet e veta në këtë rol, me Elbasanin, duke dëshmuar vlera të veçanta që në atë kohë. Drejtuesit e “demave të kuq” e kanë marrë për të rikthyer titullin, por për këtë nevojiten edhe përforcime.

Këto të fundit duhen të jenë të goditura, gjë për të cilën ish-trajneri i Skënderbeut deri para pak kohësh ka marrë premtimin e presidentit Gaz Demi. Duke folur për “ABC News”, Daja do të zbulonte diçka nga planet që ka dhe puna e përditshme, që ka nisur tashmë në Elbasan, me stërvitje të rregullta: “Natyrshëm që kemi hallin e bllokimit të merkatos. Drejtuesit po shohin për disa element, që të përforcojmë skuadrën, aty ku ne kemi nevojë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me disa lojtarë.

Premtimi i Demit? Më ka premtuar që këtë javë një paketë lojtarësh, të cilët do të na ndihmonin shumë në projektin që ka Partizani. I them presidentit që ky premtim të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur. Në këtë periudhë e gjithë propaganda është tek afrimet cilësore, por do të shihet gjatë ecurisë së garës se kush e bën diferencën. Ekipet janë aty-aty, por diferencën do ta bëjnë lojtarët cilësorë.

Skuadrat shqiptare në Europë? I vetmi fakt që duhet parë në të dyja anët e medaljes është përcaktimi i skuadrës që kualifikohet me një ndeshje. Kjo ka të mirën e vet, nëse kundërshtari në atë ndeshje është në një ditë ‘jo’. Shpresojmë që skuadrat shqiptare të jenë në ditën e tyre më të mirë. Ka të keqen tjetër kjo skemë e re, sepse nuk ke një mundësi të dytë, në rast se nuk merr rezultat të mirë.

Dënimi i Skënderbeut? Unë kam drejtuar atë Skënderbe që nuk ka asnjë ndeshje të dyshuar. Ky Skënderbe pati atë ecuri, që shpresoj ta kenë edhe klube të tjera shqiptare. Do të duhet shumë kohë të ndodhë kjo gjë. I them Takajt që të vazhdojë ta drejtojë Skënderbeun, pasi në fund fare ka qenë një kënaqësi për të gjithë ne, që punuam me atë klub”.


Shtuar 18.08.2020 14:39