Rekord lindjesh, Pollogu nuk ka të ndalur
Tendenca për të lindur sa më shumë fëmijë vazhdon të manifestohet më së shumti në rajonin e Pollogut dhe Shkupit. Sipas statistikave zyrtare, numri i fëmijëve gjatë vitit 2011, krahasuar me një vit më parë, është rritur me mbi tre mijë foshnja, me theks në këto dy zona. Por, dy zonat më produktive janë Pollogu dhe Shkupi në të cilat janë arkëtuar edhe më së shumti para nga buxheti i shtetit në formën e shtesave për fëmijën e tretë dhe të katërt. Nga numri i përgjithshëm prej më shumë se 8 mijë foshnjash, numri më i madh gjendet në rajonin e Shkupit dhe pas tij vjen Pollogu, zonë kjo e vetme ku gjatë vitit të kaluar janë shënuar edhe një numër lindjesh të fëmijës së katërt. Shtimi i numrit të fëmijëve pasqyrohet edhe me rritjen e të hollave që shteti i ka ndarë për të mbështetur këto lindje dhe natalitetin.

Nëse një vit më parë janë ndarë mbi 110 milionë denarë, gjatë vitit 2011 shteti ka shpenzuar plot 230 milionë denarë. Të ndara sipas qyteteve, pas Shkupit, si qyteti tjetër me boom lindjesh renditet Tetova, pastaj Kumanova, ndërkohë që shifrat më minimale janë në qytete ku dominon popullsia maqedonase si Demir Hisari, Probishtipi e të tjera. Edhe në qytetet më të mëdha si Ohri, Shtipi, Prilepi, Manastiri, ku lindjet e fëmijës së tretë apo të katërt janë të rralla, shumë me pak sesa në qytete që kanë numër më të vogël banorësh, si Gostivari apo Dibra.

Stimulimi i lindjeve të fëmijës së tretë dhe të katërt, megjithë benificionet që parashikonte Ligji i miratuar dy vjet më parë për mbështetje financiare, nuk i dha rezultatet sidomos për zonat të cilat janë problematike sa i takon natalitetit.

Më shqetësuese janë zona si Gjevgjelia, Koçani, Kavadari, Bogdanci, Vevçani e të tjera, ku plakja e popullsisë është kthyer në një proces që nuk ka kthim mbrapa dhe ku grupmoshat dominuese janë ato të moshës 50-54 vjeçare.

Ndërkohë që komunat me popullsi të re, me grupmoshën dominuese 15-19 vjeç, janë ato të Studeniçanit, Haraçinës, Likovës, Zhelinës e të tjera, ndërsa komunat që kanë numrin më të madh të banorëve me moshë 20-24 vjeçare janë Gostivari, Kumanova, Saraji, Tetova, e të tjera. Karakteristike për rajonin e Pollogut, është dominimi nga popullsia e re, ajo e grupmoshës 20-24 vjeçare, dhe e lindjeve, të cilat janë dyfish më të larta sesa në rajone të tjera.

E kundërta ndodh me rajonin Lindor, që dominohet nga një popullsia dyfish më e vjetër, grupmosha 50-54 vjeçare. Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Pollog janë regjistruar mbi 3500 lindje, ndërsa në zonën e Vardarit që dominohet nga popullsia 40-44 vjeçare dhe në rajonin Lindor, përkatësisht me nga 1500 lindje.

Të dhënat zyrtare të statistikave herë pas here alarmojnë për plakjen e ngadalshme, por të sigurt të popullsisë, si pasojë e disproporcionit të thelluar mes mortalitetit dhe natalitetit, ku më shqetësuese janë fshatrat që janë të populluara kryesisht me popullsi maqedonase, ku ritmet negative të natalitetit janë të mëdha.

Po ashtu, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, shkalla e natalitetit në vend është ulur deri në 11.1 promilë, ndërsa mortaliteti është rritur duke shkuar nga 8.3 promilë në vitin 2001 deri në 9.5 promilë vitin e kaluar. (Koha) /albeu.com/

Shtuar më 31/10/2012, ora 18:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori