Reka, kandidat zyrtar për president
Më së largu deri të enjten në mesnatë duhet që kandidatët për president të shtetit t’i dorëzojnë kandidaturat në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Për zyrtarizimin e kandidaturës presidenciale është e nevojshme kandidatët t’i dorëzojnë 10.000 nënshkrime të qytetarëve apo 30 nënshkrime të deputetëve.

Kandidaturën me nënshkrimet e grumbulluara dje e shtroi Blerim Reka, kandidat i opozitës shqiptare ndërsa deri në afatin përfundimtar pritet këtë ta bëjnë edhe Stevo Pendarovski, kandidat i LSDM-së dhe koalicionit dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duhet në afat prej 48 orësh prej dorëzimit, ta konfirmojë kandidaturën, ndërsa nëse ka parregullsi, e njëjta kthehet, me çka në afat prej 48 orësh duhet të hiqen parregullsitë.

Fushata për president të shtetit fillon më 1 prill dhe do të zgjasë deri më 19 prill me çka pason heshtja zgjedhore. Raundi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale është caktuar për më 21 prill, ndërsa i dyti do të mbahet më 5 maj. Sipas cilit numër rendor do të jenë kandidatët, KSHZ do të përcaktojë më 25 mars me short.

Raund të dytë të votimit do të ketë nëse asnjë kandidat për president nuk e fiton shumicën e nevojshme të votave dhe atëherë votuesit do të zgjedhin midis dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota.

Fushata për raundin e dytë përfundon në orën 24:00 më 03 maj, ndërsa votimi mbahet më 5 maj. Fitues i zgjedhjeve është njëri prej dy kandidatëve i cili në raundin e dytë i fiton më shumë vota, por me kusht që të realizohet censusi gjegjësisht nëse kanë votuar mbi 40 për qind e votuesve të zgjedhur. Nëse edhe në raundin e dytë të votimit asnjëri prej kandidatëve për president nuk e ka marrë shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e gjithë procedura zgjedhore.
Shtuar më 20/03/2019, ora 12:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori